​“Kosova nuk ka pasur njeri më të mirë”, me këngë e valle zbulohet shtatorja e Kurtit në Peran të Podujevës

Aktuale

​“Kosova nuk ka pasur njeri më të mirë”, me këngë e valle zbulohet shtatorja e Kurtit në Peran të Podujevës

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Sot në fshatin Peran të Podujevës u zbulua shtatorja e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Në shënim të tre vjetorit që kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet parlamentare, një admirues i kreut të VV-së, Albin Kurti, nga fshati Peran e ka bërë shtatoren e kryeministrit në oborrin e tij.

Sabedin Uka për Kosovapress tha se pasi që Qeveria Kurti ka fituar zgjedhjet sot 3 vite më parë, kanë menduar të bëjnë diçka dhe si zgjedhje të fundit kanë vendosur të bëjnë shtatoren e kryeministrit Albin Kurti në oborrin e tij. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të vazhdojë punën që e ka bërë që 3 vite.

Uka: Kryeministrit i them të vazhdojë kështu siç është duke shkuar deri tani

“Arsyeja ka qenë sepse kur i kemi fituar zgjedhjet para 3 vite që të bëjmë diçka, në fillim nuk e kemi ditë çka të bëjmë dikur e kemi vendosur që të bçjmë këtë statujë të Albinit dhe me vendos tani ku është. Rregullimi i bustit ka marrë kohë rreth 1 vit, nuk e kemi informuar askënd, shoqërinë, qeverinë nuk e dimë as kënd të thërrasim as nuk kemi ndonjë numër të tyre. Kryeministri mendoj që do të jetë i kënaqur ashtu siç jemi ne me të edhe ai duhet të jetë i knaqur me ne. Kryeministrit i them të vazhdojë kështu siç është duke shkuar deri tani”, tha Uka.

Ndërkaq, kishte banorë të shumtë që kishin marrë pjesë në këtë ceremoni. Ramë Halili tha se sot këtu gjendet për të parë shtatoren e kryeministrit, që është vendosur në këtë oborr.

Halili: Kam ardhur shkaku i Kurtit

“Kam ardhur shkaku i Kurtit. Kam pasur dëshirë me ardhë në bustin e tij. Sipas mendimit tim po mirë është ajo”, tha ai.

Poashtu, të pranishëm kishte edhe banorë tjerë që kishin ardhur nga fshatra të ndyshme. Ndër ta ishte edhe Bahtir Ejupi që ishte i pranishëm vetëm për të bërë përkrahje morale për kryeministrin.

Ejupi: Kam ardhur për përkrahje morale për Albin Kurtin

“Kam ardhë për një arsyje shumë të fortë. Për qeverisjen e Albin Kurtit, për këtë arsyje jemi ardhë këtu. Shumë me vend e ka bërë këtë gjest. Unë nuk jam nga ky vend, por kam ardhur për përkrahje morale për Albin Kurtin. Shumë mirë kanë vepruar”, tha ai.

Gjithashtu, nuk munguan as lavdatat për këtë bust poashtu edhe për kryeministrin.

Shaban Zhegrova, banor i këtij, fshati tha se këtë shtatore e kanë bërë origjinal si Albin Kurti.

Përveç kësaj, ai për Kurtin tha se Kosova nuk ka pasur njeri më të mirë.

Zhegrova: Njeri më të mirë nuk ka pasur Kosova se Albini

“Kemi ardhë për bustin e Albin Kurtin. Origjinal e kanë bërë shumë mirë, njeri me të mirë nuk ka pasur Kosova se Albini”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat