O’Brien, Escobar e Hill - Amerika paralajmëron pasoja për Kosovën lidhur me dinarin

Aktuale

O’Brien, Escobar e Hill - Amerika paralajmëron pasoja për Kosovën lidhur me dinarin

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 09:01
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Tre zyrtarë të lartë amerikanë kritikuan Qeverinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme, për mospërfilljen e kërkesës amerikane  për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës të martën pasdite, O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

Ai e kritikoi Qeverinë e Kosovës për zbatimin e vendimit pavarësisht, siç tha ai, lindjes se telasheve “në 5-10 minutat e para pasi mësuam për shpalljen e vendimit”.

“Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin”, tha ai.

Ndërkaq, Emisari amerikan, Gabriel Escobar, e vlerësoi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e zbatimit të shpejtë të Rregullores së BQK-së që ndalon valutën serbe si mjet ligjor pagese në Kosovë.

Emisari amerikan ka paralajmëruar edhe se “veprimet e njëanshme do të kenë pasoja”.

Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Esobar tha se SHBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe investojnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, si dhe dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e “çështjeve dypalëshe”.

“Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale paqësore, produktive dhe efikase në ndërkohë”, tha Escobar.

Një reagim gjatë ditës së djeshme e pari edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Hill i pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së,tha se nuk dëshiron ta karakterizojë kështu dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar edhe të hënën se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi Kryeministri Kurti.

E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.

Edhe Bashkimi Evropian gjatë ditëve të fundit pati akuzuar Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat