Jessen-Petersen: Serbët e Kosovës, peng i politikave destabilizuese të Beogradit

Aktuale

Jessen-Petersen: Serbët e Kosovës, peng i politikave destabilizuese të Beogradit

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 22:28
Soren Jessen-Petersen

Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka folur për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për ecurinë e vendit që nga kohët kur ai mbante një rol kyç në administrimin e përkohshëm.

Ai ka vënë në pah jo vetëm hapat e mëdhenj që ka bërë Kosova si shtet i pavarur, por edhe sfidat që ende ballafaqohet në zhvillimin e saj politik dhe ekonomik.

Me një qasje të theksuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në rolin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në këtë proces, Jessen-Petersen shpreh mendime të qarta mbi lidershipin aktual dhe rrugën e mundshme drejt përmirësimit të marrëdhënieve në rajon.

Ai gjithashtu thekson rëndësinë e integrimit të komuniteteve jo-shumicë dhe ballafaqimin me sfidat që pengojnë progresin e Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.

Petersen thekson se, pavarësisht progresit, Kosova ende përballet me sfida që vijnë nga brenda saj dhe nga jashtë.

Pjesë e këtyre sfidave është dhe nevoja për gjak të ri në politikë, një vizion që ai e ka shprehur edhe vite më parë.

“Ekziston rreziku që mbingarkesa e bisedimeve dhe grindjet politike të dekurajojnë gjeneratën e re të liderëve të angazhuar në politikë,” shprehet ai në duke shpresuar që kjo mos të ndodhë.

Rreth procesit të dialogut, Jessen-Petersen është i prerë: “Dialogu është e vetmja rrugë përpara,” vëren ai, duke vënë theksin në rolin e BE-së dhe SHBA-së në këtë proces.

“BE-ja e përdor si karotë ashtu edhe si shkop integrimit, ndërsa SHBA-ja qëndron e patundur në mbështetjen e saj”.

Por sa i përket Asociacionit me shumicë serbe, ai shpreh shqetësimin se mund të krijohen vija të reja etnike brenda Kosovës.

“Kosova duhet të bëjë më shumë për të integruar serbët, të cilët duhet të ndihen si pjesë e vendit, ndërkohë që shmanget ndikimi i vazhdueshëm i Beogradit”, thotë ai.

Jessen-Petersen, i bën thirrje liderëve politikë kosovarë të mos marrin mbështetjen e aleatëve si të mirëqenë dhe të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre.

Në aspektin e progresit ekonomik dhe social, ai pranon se ka një lëvizje të ngadaltë, ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm, por shton se heqja e fundit e vizave mund të sjellë një shtysë të ri për vendin.

Sa i përket Gjykatës Speciale – Dhomave të Specializuara në Hagë, ai shpreh dëshirën për një proces të drejtë dhe të rregullt, pavarësisht se procesi ka qenë i ngadalshëm deri tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat