Kurti mori pjesë në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesor Landsman

Aktuale

Kurti mori pjesë në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesor Landsman

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 17:17
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesor Moshe Landsman, bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në fjalën e tij hapëse, kryeministri Kurti tha se profesor Landsman profesionin e tij ai e shndërroi në aktivizim, sepse atë çfarë e lexonte, atë çfarë e dinte, e ndante me të tjerët me qëllim që shoqëria dhe bota të bëhet edhe më shumë, më e mirë se sa që është, dhe krejt kjo jo duke punuar me shoqërinë e me botën në mënyrë abstrakte e të përgjithshme, por individualisht me të gjithë ata që i takonte.

”Në Kosovë ne e njohim si një nga të parët që ateroi në një grup humanitar pas luftës në Kosovë, dhe i ndihmonte viktimat e luftës. Pra, i pyeste se në një situatë kush është viktima. Dhe merrej së pari me viktimën. Dhe nëpërmjet viktimës e kuptonte atë situatë dhe përpiqej që me të tjerët ta ndryshonte”, citohet Kurti në komunikatë.

Më tej thuhet se kontributi i profesorit Moshe do të vazhdojë me studentët e bashkëpunëtorët të cilët në figurën e tij, e gjejnë edhe inspirimin, por edhe frymëzimin për punën dhe kontributin e mëtutjeshëm.

Teksa kujtoi dhe takimin me të vitin e kaluar, kryeministri përmbylli fjalimin e tij duke shprehur ngushëllimet dhe admirimin ndaj profesor Moshe Landsman.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vitin e kaluar e vlerësoi Dr. Landsman me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.

Dr. Landsman, ka lënë pas vetes një karrierë të vlefshme si profesor e psikolog në Izrael që nga vitet 1970-ta, ndërsa lidhja e tij me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë erdhi të ndihmonte të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pas-luftës në Kosovë, Dr. Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat