Kurti: Regjimi autoritar i Serbisë po e mban të gjithë rajonin prapa

Aktuale

Kurti: Regjimi autoritar i Serbisë po e mban të gjithë rajonin prapa

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 12:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në panelin e diskutimit në Mbretërinë e Bashkuar të organizuar nga instituti ‘’Chatham House’’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se liberalizimi i vizave që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, ka rritur interesimin e serbëve të Kosovës për t’u pajisur me pasaporta si dhe konvertimin e suksesshëm në targa të Kosovës për vetura nga ato ilegale të Serbisë në mesin e pronarëve nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Këtë Kurti e tha në panelin e diskutimit në Mbretërinë e Bashkuar të organizuar nga instituti ‘’Chatham House’’ në të cilin ishte njëri nga folësit kyç.

Temë e diskutimit ishin poashtu sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni, përkatësisht Ballkani Perëndimor.

Sipas komunikatës së dërguar për media, kryeministri Kurti ka theksuar se aleanca e fortë e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm rrezik teorik për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, por është rrezik real, me të cilin Kosova, por jo vetëm, përballet rregullisht. Ai shtoi se prezenca e Rusisë në Ballkan po rritet nëpërmjet Serbisë, dhe se në këtë kontekst një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë. Mos nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes, kryeministri e cilësoi si shenjë të qartë të mungesës së mirëbesimit, i cili është i nevojshëm për të pasur siguri ligjore dhe zbatim të asaj për çka palët janë pajtuar. Për më tepër, kryeministri theksoi se refuzimi për të nënshkruar marrëveshjen nënkupton gjithashtu se Serbia dëshiron ta lë të hapur opsionion e invazionit në Kosovë.

“Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është baza mbi të cilën vendi ynë mund të vazhdojë të rritet”, nënvizoi kryeministri Kurti, teksa tha se Serbia, apo cilido aleat potencial i Rusisë, nuk mund ta mbajë rajonin larg BE-së sepse kjo do t’i shërbente vetëm Rusisë dhe përpjekjeve të saj për ta ndarë përsëri kontinentin. Andaj ai tha se nga BE-ja duhet një qasje e cila nxitë përafrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian mbi baza meritore, në vend se i gjithë rajoni të mbetet peng i një vendi të vetëm. “Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat