Përfundon protesta e pensionistëve serbë për Rregulloren e BQK-së - policia jep detaje

Aktuale

Përfundon protesta e pensionistëve serbë për Rregulloren e BQK-së - policia jep detaje

Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 12:17 Përditësuar në ora: 14:43 më 12.02.2024
Pamje nga protesta

Protesta e pensionistëve serbë, Policia: Ç’do herë e njohim të drejtën e qytetarëve për tubime publike

Policia ka deklaruar se për protestën e pensionistëve serbë që është mbajtur sot në sheshin e Mitrovicës së Veriut i kanë ndërmarrë me kohë të gjitha masat e nevojshme.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se këto masa janë marrë me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

“Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike”.

“Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident”, thuhet në njoftim. 

Përfundon e qetë protesta e pensionistëve serbë për Rregulloren e BQK-së

Protesta e pensionistëve serbë ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident, sot në sheshin e Mitrovicës së Veriut.

Aty u mblodhën mijëra qytetarë, në mesin e pensionistëve pati përfaqësues të sindikatave të ndryshme, punëtorë shëndetësorë dhe studentë.

Kësaj proteste i ishin bashkangjitur edhe përfaqësues të Listës Serbe.

Në parullat që i mbanin në duar, në disa prej tyre thuhej “Evropë hapi sytë”, ” Pensionin tërë jetën e kam marrë e merituar, nuk ia jap Kurtit”.

Nis protesta e serbëve në veri kundër Rregullores së BQK

Qytetarë të shumtë serbë në veri janë mbledhur të protestojnë të hënën kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.

Ndërkaq, në protestë shihet edhe një numër i shtuar i forcave policore.

Thirrja për këtë protestë është bërë publike nga Lista Serbe përmes rrjetit social Facebook.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se autoritetet kanë marrë informacione lidhur me këtë protestë dhe janë të përgatitur për ta monitoruar atë.

Kujtojmë se, kryeministri i vendit, Albin Kurti dje ka thënë se Kosova nuk ndalon dinarin serb, por futjen e tij përmes thasëve në kufi.

Çështja e dinarit, pensionistët serb protestojnë sot në veri

Në veri të Mitrovicë sot në ora 12:00, pensionistët e komunitetit serb kanë paralajmëruar organizimin e një proteste, në shenjë reagimi ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese.

Thirrja për këtë protestë është bërë publike nga Lista Serbe përmes rrjetit social Facebook.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se autoritetet kanë marrë informacione lidhur me këtë protestë dhe janë të përgatitur për ta monitoruar atë.

Në katër komunat veriore të Kosovës, ku shumica e popullsisë janë serbë, ditën e diele janë vërejtur disa grafite të reja me shkrimin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim për komunitetin serb të Kosovës ka sqaruar se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk pengon Serbinë për të ndihmuar komunitetin e tyre, dhe se Kosova nuk e ka ndaluar përdorimin e dinarit, as edhe të ndonjë valute tjetër.

Ai theksoi se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, kërkon që euroja të jetë monedha e vetme e pranueshme për transaksionet me para të gatshme.

Ndryshe, BQK ka theksuar se kjo Rregullore nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

Të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet.

Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat