“S’do të jemi shumë të durueshëm”, “dëshpëruese nëse ka ngecje” - porositë e tre diplomatëve për Kosovën

Aktuale

“S’do të jemi shumë të durueshëm”, “dëshpëruese nëse ka ngecje” - porositë e tre diplomatëve për Kosovën

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 16:16
Albin Kurti

Zgjedhjet e reja në Veri janë njëra nga kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë ndaj Kosovës.

Procedurat që i paraprijnë shkuarjes në zgjedhje veçse kanë nisur, por ambasadori Hovenier thotë se pasi të mbarojë verifikimi i nënshkrimeve, autoritetet duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që hapi tjetër të ndodhë pa vonesa.

“Nuk do të jemi shumë të durueshëm”, tha ambasadori amerikan në Kosovë. Për zgjedhjet në Veri janë deklaruar edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët serbë në katër komunat veriore, të cilët synojnë t’i rrëzojnë katër kryetarët që fituan në zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar.

Pas verifikimit, ambasadori Hovenier thotë se hapi tjetër duhet të ndodhë pa vonesa, duke shtuar se nuk do të jenë shumë të durueshëm.

Jeffrey Hovenier ka theksuar se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur.

Ai ka thënë se do të kërkojnë nga të gjitha palët e përfshira që të bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta lëvizur përpara procesin e zgjedhjeve të reja.

Presim nga Qeveria e Kosovës që të përmbushë përkushtimet që i ka bërë ndaj nesh dhe Bashkimit Evropian për ta lehtësuar këtë proces. Unë e di se jemi në përfundim të një hapi të rëndësishëm që është se peticionet janë nënshkruar, ka indikacione se janë më shumë se 20 për qind e votuesve të regjistruar me të drejtë vote që i kanë nënshkruar këto peticione, por vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta konfirmojë këtë. Por sapo të ndodhë kjo, është mjaftë e rëndësishme që autoritetet të bëjnë gjithçka që është e mundur që hapi tjetër të ndodhë pa vonesa. Dhe ne nuk do të jemi shumë të durueshëm” ka thënë Hovenier.

“Nëse njerëzit duan të hyjnë në debate të mëdha se kush është përgjegjës për çfarë, realiteti është se hapi tjetër duhet të ndodhë brenda afatit të parashikuar, që mendoj se është 45 ditë. Dhe ne do të kërkojmë nga të gjithë, të gjitha autoritetet në këtë mes, qofshin partitë në opozitë që kanë anëtarë në KQZ, ose qeveria ose nga institucionet e tjera shtetërore, që të bëjnë çdo gjë të mundur për të lëvizur përpara këtë proces”, tha shtuar Hovenier.

Deklarata të njëjta kanë dhënë edhe dy ambasadorët tjerë, Olivier Guerot i Francës dhe ai i Gjermanisë Jorn Rohde në RTV Dukagjini.

Gueort ka thënë se është gjë shumë pozitive që serbët e Kosovës po përdorin një kanal që është vendosur brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, megjithatë ka thënë se do të ishte dëshpëruese nëse procesi do të ngecte diku. 

“Mendoj se është zhvillim pozitiv dhe serbët e Kosovës po përdorin kanalin që është vendosur brenda institucioneve të Republikës së Kosovës dhe është më mirë sesa ti bojkotojnë. Por nëse ky proces ngec diku do të jetë dëshpërim”, ka thënë Guerot.

Po ashtu edhe ambasadori gjerman ka thënë se do të ishte dëshpëruese nëse procesi do të bllokohej diku.

Rohde i ka bërë thirrje Serbisë që të kërkojë nga serbët lokalë kthim në institucione të Republikës së Kosovës.

“Serbët kanë marrë pjesë dhe kjo tregon se ata dëshirojnë se ata dëshirojnë të mbarojnë këtë proces. Dhe siç tha Olivier do të jetë një dëshpërim i madh nëse kjo ngecë diku, sepse ne dëshirojmë rezultate sepse kryetarët kanë marrë 2-3% të votave. I bëjmë thirrje Serbisë që t’i ftojë serbët që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në proceset e Kosovës. Do të shohim integrim dhe jo konfrontim. Do ta shohim si do të zgjidhet, deri tash duket se po shkon mirë”, ka thënë Rohde.

Më 25 janar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, konfirmoi se pas Zubin Potokut, kanë pranuar nënshkrimet edhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi.

Ky institucion është ende në proces të verifikimit të nënshkrimeve.

“Ende jemi në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ashtu siç kemi njoftuar, ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik. Pas përfundimit të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura, do të përgatisim raport për çdo komunë dhe do të njoftojmë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Po ashtu, përgjigjja e KQZ-së do të bëhet publike edhe për qytetarët dhe mediat”, ka thënë Elezi.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat