Pse sulmohet vetëm Kosova dhe Perëndimi përkëdhel Serbinë?!

Aktuale

Pse sulmohet vetëm Kosova dhe Perëndimi përkëdhel Serbinë?!

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 16:04
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka kritikuar qëndrimin që Perëndimi po mban ndaj Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit në raport me vendimin për heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe në Veri.

Ai e cilëson këtë përqasje ndaj Beogradit dhe kritikat ndaj Prishtinës si politikë të gabuar pasi nuk ka asnjë arsye pse të ketë as monedhë serbe dhe as institucione paralele në një shtet të pavarur.

“Po e ndjek nga afër çështjen. Unë shoh të gjitha kritikat që vijnë për Kosovën. Personalisht unë jam më pak kritik se shumë kolegë të huaj në dukje, sepse sigurisht që në këtë moment duhet të pajtohemi të gjithë ne se Kosova është një vend i pavarur. Dhe sigurisht një vend i pavarur nuk mund të përbëhet nga të gjitha llojet e strukturave ilegale. Nuk e dija se kishte një bankë në Veri të Kosovës që nuk ishte pjesë e sistemit bankar të Kosovës. Kjo padyshim është shumë e çuditshme. E njëjta gjë me strukturat ilegale në Pejë dhe në Istog. E di që për serbët nuk është fort e bukur, por megjithatë ata duhet të pranojnë se nuk jetojnë në Serbi por në Kosovë, dhe duhet të pranojnë strukturat e Kosovës. E vetmja gjë që mund të pyesim është nëse duhet dhënë pak kohë për ta zbatuar dhe jo për ta bërë menjëherë. E njëjta gjë me dinarin, siç thashë, nuk mund të kesh një bankë të huaj që operon në vendin tënd dhe nuk mund të kesh monedhë të huaj në vend. Është krejtësisht anormale.

Nuk e di nëse nuk ka patur paralajmërim paraprak. Sigurisht që mund ta shtynin pak duke lejuar njerëzit të përgatiten edhe më mirë, por nuk mund ta shtynin përgjithmonë, sepse këtë kemi bërë që nga pavarësia. Që nga pavarësia ne kemi shtyrë gjithçka dhe çdo gjë për të patur një situatë të qetë. Por një qëndrim i tillë na çoi në asgjë. Ai çon në një konflikt të ngrirë. Shembulli është çështja e targave. U shty dhe u shty dhe u shty disa herë, deri në një moment të caktuar ku u kuptua që nuk mund të shtyhej më. Atë që ndodhi e dini. Edhe tani po kërkohet ta shtyjnë pak. Mirë ta shtyjnë pak, por atëherë duhet të thuash 6 javë dhe diçka tjetër. Dhe jo 6 javë dhe pastaj 6 javë të tjera, e 6 javë të tjera. Jo! Duhet të thuhet diçka me argumentin se po parandalon tensione, kjo krijon tensione sipas meje.”- tha Bosch për A2CNN.

Referuar sulmit të armatosur në Banjskë, ku Beogradi mbetet i pandëshkuar edhe pas 4 muajve pavarësisht provave që Perëndimi ka në dorë, ndërsa Kosova vuan sanksionet e BE, Bosch tha se është e totalisht e pakuptueshme.

Ish-ambasadori shprehet i çuditur me ndërkombëtarët që përkëdhelin sipas tij Serbinë, por nënvizon se qasja e butë ndaj Aleksandër Vuçiçit vjen si pasojë e frikës se Beogradi mund të afrohet edhe më shumë me Moskën dhe kjo mund të çojë deri në përplasje me Rusinë.

“Kjo është gjithashtu krejtësisht e pashpjegueshme. Serbia po shihet nga të huajt si vendi më i rëndësishëm në rajonin tuaj dhe ata duan ta zbusin atë. Personalisht mendoj që është një politikë e keqe, por gjithsesi kjo është ajo që është. Ata duan të mos jenë shumë të ashpër ndaj Serbisë pasi mendojnë se nëse jemi shumë të ashpër me të, ata mund të shkojnë edhe më shumë drejt një përballje me Rusinë. Mendoj se është një politikë shumë e keqe. Nuk jam dakord me këtë. Por sigurisht që është jashtëzakonisht e çuditshme që Kosova ka sanksione, ndërsa është e vetmja që ka një qasje pozitive. Pozitive në raport me marrëveshjen e Ohrit. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Banjska me shumë mundësi u mbështet nga qeveria në Beograd. Nuk është e kundërta, pra pse duhet të ketë sanksione. Për mua është krejtësisht e pakuptueshme. Por edhe për shumë njerëz të tjerë. Ndoshta jo për disa qeveri dhe jo Bashkimin Evropian, por për disa në Parlamentin Evropian është. Siç e thashë disa vende të Be mendojnë se nëse tregohen shumë të ashpër me Serbinë, ata i afrohen më shumë Rusisë. Këtë mendojnë ata, por kjo është e gabuar. Ata janë i afruar tashmë Rusisë, çfarë mund t’i afrohen më shumë.”- tha Bosch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat