Von Cramon: Vendimi për ndalimin e dinarit në parim është legjitim, por...

Aktuale

Von Cramon: Vendimi për ndalimin e dinarit në parim është legjitim, por...

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 15:54
Viola von Cramon

Eurodeputetja dhe njëherësh raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se në parim vendimi për përdorimin e dinarit apo të ndonjë monedhe tjetër është absolutisht legjitim dhe nuk duhet kritikuar.

Por, sipas saj vendimi aktual për ndalimin e dinarit serb erdhi shumë papritur dhe nevojitën më shumë informacione dhe një periudhë tranzicioni.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, euro është valuta e vetme në Republikën e Kosovës. Pra, në parim, vendimi për përdorimin e dinarit apo të ndonjë monedhe tjetër është absolutisht legjitim dhe nuk duhet kritikuar. Ai duhet të synojë të sigurojë kontrolle të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, etj. Megjithatë, vendimi aktual për ndalimin e dinarit serb erdhi shumë papritur. Ajo që duhej nga këndvështrimi ynë është komunikimi i duhur, më shumë informacion dhe një periudhë tranzicioni”, ka thënë ajo.

Tutje, Von Cramon ka thënë se reagimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës janë shqetësuese pasi këto masa mund të kenë një potencial përshkallëzimi.

“Në të vërtetë, disa çështje duhet të zgjidhen përpara hyrjes në fuqi të ndalimit, të cilat nga këndvështrimi im duket se nuk janë zgjidhur ende, kështu që vendet e QUINT-it kanë kërkuar ndalimin e zbatimit të vendimit për të lejuar këtë punë të të kryhet. Shumë njerëz do të mbeteshin pa të ardhura të konsiderueshme, pasi që qeveria e Kosovës nuk ka ndarë fonde shtesë për të zëvendësuar këto pagesa për qytetarët e saj. Reagimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës janë shqetësuese pasi këto masa mund të kenë një potencial përshkallëzimi, por edhe të rrezikojnë jetesën e qytetarëve të Kosovës nga të cilët shumë jetojnë në rrezik të varfërisë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.

Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e BQK-së ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat