Përmirësohet gjendja shëndetësore e 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e kulmit në Prishtinë – transferohet në klinikën e Neurokirurgjisë

Aktuale

Përmirësohet gjendja shëndetësore e 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e kulmit në Prishtinë – transferohet në klinikën e Neurokirurgjisë

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

23-vjeçarja e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit në Prishtinë i është përmirësuar gjendja shëndetësore, duke qenë e vetëdijshme, komunikative dhe e lëvizshme tani.

Kështu ka njoftuar Haxhi Avdyli, deputet i Listës Guxo, i cili edhe ka vizituar qytetaren sot gjatë ditës.

“Lajme të mira për Elza Ujkani. Lajme të mira nga Neurokirurgjia. Ngjarja tragjike e shembjes së kulmit të Komunës së Prishtinë mbi të renë Elzen, e ka prek çdo qytetarë të Kosovës.

Pas qëndrimit në mjekim intenziv dhe pas operacionit gati 4 orë për të evakuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli. Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, thotë ai.

Tutje, ai ka shkruar se ajo është e vetëdijshme, komunikative, e lëvizshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në para krah dhe ne vertebrën cervikale C7.

“Falë punës dhe profesionalizmit të lartë të kolegëve të mi nga Neurokirurgjia Dr Faik Qosja si operator, e asistentëve të tij, dhe tërë kolegëve tjerë në krye me drejtorin dr Besnik Elshani të cilët po kujdesen që edhe këtë fazë postoperatore ta kaloj sa më lehtë. Mos ta harrojmë punën madhe që kanë bërë anesteziologët në Kujdes intenziv për ta mbajtur në aparate reanimuese pas operimit , pastaj për ta zgjuar dhe rehabilituar pas zgjimit nga koma. Tani Elza ka nevojë për qetësi dhe rehabilitim disa ditor deri në transferim në shtëpi”, ka pohuar ai.

Ndryshe, 23-vjeçarja raportohet se është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.

Nga Policia e Kosovës kishin njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00, më 18 janar.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat