​Sigurimi i grupit të gjakut Rh negativ, telash i kamotshëm

Aktuale

​Sigurimi i grupit të gjakut Rh negativ, telash i kamotshëm

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 13:23
Foto ilustrim

Rritja e numrit të aksidenteve, traumave, sëmundjeve malinje dhe atyre kronike ka ndikuar që gjithnjë e më shumë të rritet kërkesa për furnizim me gjak nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ). Klinikat në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe ato private po operojnë me rezervat e gjakut që sigurohen nga kjo qendër. Derisa, Shërbimi Emergjent është ai që ka më së shumti nevojë të furnizohet me doza të gjakut, për shkak të rasteve që trajtohen aty.

Gjatë vitit të kaluar, dhurimi i gjakut nga mbi 30 mijë persona, ka qenë arsyeja e shpëtimit të mijërave jetëve.

Pavarësisht vullnetarëve të shumtë për ta bërë këtë akt që konsiderohet të jetë human, ndodhë që familjarët e pacientëve detyrohen të kërkojnë doza gjaku, për shkak se grupi Rh negativ konsiderohet të jetë më i rralli.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryeudhëheqësja e Departamentit për Dhurim të Gjakut në QKKTGJ, Safete Maliqi-Qorrmehmeti, derisa potencon se ndonjëherë mund të kenë telashe më rezervat e grupit të gjakut Rh negativ, ngase sipas saj, personat me këtë grup gjaku janë me përqindje më të ulët.

Përkundër kësaj, ajo thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sepse kjo qendër angazhohet vazhdimisht për të mbuluar të gjitha kërkesat.

Maliqi-Qorrmehmeti: Gjithmonë na shkakton telashe grupi Rh negativ

"Ne kryesisht i mbulojmë rastet e kërkesave të cilët paraqiten prej klinikave me dhuruesit vullnetarë. Mirëpo, ka raste kur na mungon ndonjë grup i caktuar, atëherë jemi të detyruar familjarët t'i informojmë se neve na mungon ndonjë grup i caktuar dhe gjatë ditës e sigurojmë atë grup të gjakut. Por, procedura e përgatitjes së gjakut, është mjaft e gjatë dhe merr kohë derisa të del në distribuim sasia e gjakut, e cila është marrë. Çdo njësi e gjakut prej momentit të marrjes është një siguri, gjatë momentit të marrjes është hapësira ku merret, hapësirë sterile, pastaj testimi i gjakut në testet imunologjike, testimi i gjakut në prezencën e antigjeneve infektiv, pastaj distribuimi i gjakut, ndarja e gjakut, ruajtja e gjakut deri në shpërndarjen në klinika të cilat kanë nevojë...Është e ditur që në popullatë personat me grup Rh negativ, janë persona me përqindje më të ulët, është evidente jo vetëm tek ne por në të gjitha vendet. Kjo gjithmonë na shkakton pak telashe, grupi Rh negativ. Mirëpo, ne arrijmë gjithmonë që të kemi rezerva dhe nuk kanë nevojë qytetarët të shqetësohen", tha Maliqi-Qorrmehmeti.

Shefja e këtij departamenti, Safete Maliqi-Qorrmehmeti, tha se aktualisht gjendja me rezervat e gjakut është e mirë, derisa thekson se kërkesat nga klinikat për furnizim me gjak janë në rritje, për shkak të shtimit të rasteve të cilat kanë nevojë për trajtim me gjak dhe produktet e tij.

Ajo potencon se në fillim të vitit kalendarik bëhet hartimi i planprogramit për dhurimin e gjakut dhe në bazë të tij bashkëpunojnë me strukturat shëndetësore, përgjegjësit e institucioneve dhe qytetarët të cilët i përgjigjen në mënyrë pozitive dhurimit të gjakut.

Maliqi-Qorrmehmeti: Qendra Emergjente ka më së shumti kërkesa për gjak

"Rezervat e gjakut për momentin janë mirë, i posedojmë të gjitha grupet e gjakut dhe po vazhdojmë punën. Qendra jonë është e angazhuar për krijimin e rezervave për trajtimin e pacientëve me gjak dhe produktet e gjakut...Kërkesat janë të shumta, prej të gjitha klinikave private dhe shtetërore, ne arrijmë t'i realizojmë të gjitha kërkesat të cilat paraqiten për trajtim me gjak dhe produktet e gjakut. Ne hartojmë në fillim të vitit kalendarik plan-programin për dhurimin e gjakut dhe në bazë të plan-programit, bashkëpunojmë me strukturat shëndetësore, përgjegjësit e këtyre institucioneve, me qytetarët të cilët i përgjigjen në mënyrë pozitive dhurimit të gjakut...Kërkues janë të gjitha klinikat, mirëpo vlen të ceket se kërkuesi më i madh janë këto, përkundër rritjes së numrit të dhurimit të gjakut, është shtuar edhe numri i rasteve të cilat kanë nevojë për trajtim me gjak dhe produktet e gjakut. Kërkuesit më të mëdhenj janë Qendra Emergjente kur vijnë raste emergjente gjatë traumave, aksidenteve të ndryshme, pastaj janë shtuar sëmundjet malinje, sëmundjet kronike që duan në mënyrë të vazhdueshme si terapi bazë e kanë gjakun", potencon Maliqi-Qorrmehmeti.

Përveç këtyre, Maliqi-Qorrmehmeti e quan inkurajues faktin që ka pasur rritje të vullnetarëve për dhurimin e gjakut, derisa tregon se gjatë vitit të kaluar, rreth 32 mijë persona kanë shprehur dëshirën për të dhuruar gjak.

Ajo thotë se të dy gjinitë janë të përfshirë në këtë akt human, derisa potencon se ka raste ku e tërë familja dhurojnë gjak.

Maliqi-Qorrmehmeti: Afër 32 mijë persona kanë dhuruar gjak vitin e kaluar

"Është inkurajuese sivjet statistikat tregojnë se kemi pasur një rritje të dhurimit vullnetar, kur e dimë botërisht që dalja nga një pandemi e cila në kohën e pandemisë kishim të sfiduar jo vetëm ne si qendër kombëtare, por të gjitha klinikat. Mirëpo, kemi arritur gradualisht me e rrit numrin nga viti në vit. Tani jemi me shifra sivjet të kënaqur me numrin e rritjes së dhurimit vullnetar...Këtë vit (2023) statistikat tregojnë se kemi rritje të dhurimit, afër 32 mijë dhurues kanë qenë në Kosovë, bashkë transfuzioni i gjakut me kabinetet, shtatë kabinete janë nëpër Kosovë, të cilat iu kanë ofruar qytetarëve të paraqiten në qendrat më të afërta për të dhuruar gjak...Janë të dy gjinitë që dhurojnë gjak, kemi dhurime të formave të ndryshme, dhurime kemi familjare, kur e tërë familja dhuron gjak", thotë Maliqi-Qorrmehmeti.

Dhurimi i një doze gjaku zgjat 5 deri në 15 minuta. Ndërkaq, çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç, mund të dhurojë gjak.

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz), që kanë kryer transplante, kanë diabet insulinovartë, sëmundje autoimune, tumore malinje, epilepsi, sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të kontrollohen të gjitha dhurimet e gjakut për infeksione përpara se të përdoren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat