Rasti i njohur si “53-milionëshi”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burg

Aktuale

Rasti i njohur si “53-milionëshi”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burg

Më: 31 janar 2024 Në ora: 10:15 Përditësuar në ora: 13:50 më 31.01.2024
Pal Lekaj

​Gjykata dënon Pal Lekajn për rastin e 53 milionëshit, mbrojtja paralajmëron apelimin e vendimit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.

Ish ministri i Infrastrukturës, njëherësh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv, ish këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, u dënua po ashtu me tre vjet e tre muaj burgim, ndërkaq, Nebih Shatri në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri u dënua me 1 vit e tetë muaj, kurse Besim Tahiri, si drejtor i prokurimit publik në MI u dënua me 1 vit e tetë muaj burgim. Të njëjtëve po ashtu iu shqiptua dënim plotësues për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në Administratën Publike dhe shërbime publike. Dënimi ndaj të akuzuarve do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtarja Violeta Namani, tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në bashkëkryerje.

Namani: Të akuzuarit Pal Lekaj i shqiptohet dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e tetë muaj

“Të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e tetë muaj. Ky dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi do të bëhet i formës së prerë. Po ashtu të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim plotësues, konform nenit 65, në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj, ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në Administratë Publike. Të pandehurit Nebi Shatri i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj, i cili po ashtu do të ekzekutohet në momentin kur bëhet i formës së prerë. Po ashtu të pandehurit Nebih Shatri i shqipton dënim plotësues në kohëzgjatje prej dy vite, ndalim i funksionit në Administratën Publike dhe shërbime publike. Të pandehurit Besim Tahiri, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj. Po ashtu i shqipton edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej dy vite ndalim i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike. Të pandehurit Eset Berisha i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e tre muaj, i cili dënim do të ekzekutohet kur aktgjykimi do të bëhet i formës së prerë. Po ashtu të pandehurit, Eset Berisha i shqipton dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në Administratë Publike në kohëzgjatje në tri vite”, tha ajo.

Duke elaboruar aktgjykimin, gjyqtarja Namani tha se të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, duke bërë pagesë të pabazuar shtesë prej 38 milionë euro, në dobi të kompanisë Bechtel-Enka

Namani: Të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare:

“Gjykata vlerëson se në të gjithë rastin komplet ka gjetur se të akuzuarit me dashje dhe me paramendim duke tejkaluar kompetencat zyrtare duke mos marrë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse Hill, atëherë kanë bërë pagesën të pabazuar shtesë prej 38 milionë euro në dobi të kompanisë Bechtel-Enka me ç’rast i kanë shkaktuar dëm jashtëzakonisht të konsiderueshëm buxhetit të Republikës së Kosovës. Andaj duke u bazuar në të gjitha provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, Gjykata i shpalli të akuzuarit fajtor sot dhe i dënoi sipas ligjit”, theksoi gjyqtarja Namani.

Në anën tjetër, pas përfundimit të seancës, mbrojtja e të akuzuarve e konsideruan skandaloz këtë vendim, derisa bënë të ditur se do të apelojnë në shkallën e dytë.

Musa Damati, avokat i ish ministrit Pal Lekaj, u shpreh i bindur se shkalla e dytë do të ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Damati: Ky vendim është skandaloz

“Vendimi i sotshëm është skandaloz dhe i njëjti do të apelohet për në gjykatën e shkallës së dytë, për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin. Ky është një projekt i cili ka filluar para shumë kohë se klienti im, ish ministri i Infrastrukturës të pranoi detyrën. Ky është një projekt i cili që nga fillimi është krijuar me vonesa dhe implikime buxhetore”, deklaroi ai.

Po ashtu edhe Afrim Saliu, avokat i Eset Berishës, tha se ky vendim i sotshëm i jep të drejtën kompanisë Betchel Enka të iniciojë procedura ndaj Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.

Saliu Është një vendim jo i pritur

“Është një vendim jo i pritur, një vendim që nuk konsiston as me kronologjinë e komplet drejtimit të këtij procesi maratonik. Vendimet që janë marrë nga anëtarët e Këshillit ndër-ministror kanë qenë unanime dhe të gjithë kanë votuar dhe kanë kaluar. Nuk është vendim i mirëpritur nga ana e mbrojtjes dhe natyrisht se edhe ne do të apelojmë në shkallën e dytë dhe kemi material...Ky vendim i sotshëm definitivisht i hap të drejtën Bechtel Enkës që ajo të inicoi procedura në Gjykatën e Arbitrazhit”, theksoi avokati Saliu.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”

Flet avokati i Lekajt, pas dënimit me burg nga Gjykata

Avokati i ish-ministrit Pal Lekaj, Musa Damati, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore, e cila shpalli aktgjykimin e saj dënues ndaj Lekajt në rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Damati njofton se do të apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

“Nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz, bindja jonë është se do të pasoje ndryshime në favorin tonë”, tha Damati.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar në rastin e njohur i “53 milionëshi”, duke i dënuar me 10 vjet e 3 muaj burgim.

Sipas aktgjykimiti, ish- ministri, Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim, këshilltari i tij politik, Eset Berishën është dënuar me mbi 3 vite, sekretari i përgjithshëm, Nebih Shatrin dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri janë dënuar me nga një vit e 8 muaj.

Pos Lekajt, u dënuan edhe këta dy ish-zyrtarë

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Lekaj, tani deputet i AAK-së është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Lekaj është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.

Kurse të pandehurin Besim Tahiri, Gjykata i shqipton dënimin në kohëzgjatje prej një vit e 8 muaj si dhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 viteve të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike, ndërsa të pandehurit Eset Berisha, i shqiptoi me burgim me kohëzgjatje prej 3 vite e 3 muaj si dhe dënim plotësues, ndalim u ushtrimit të funksionit në administratës publike në kohëzgjatje prej 3 viteve.

Aktgjykimin për këtë rast e shqiptoi Gjyqtarja Violeta Namani me anëtarët Vesel Ismajli dhe Musa Konxheli.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit kurse mbrojta lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare.

​Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burg për 53 milionëshin

Ish-Ministri i Infrastrukturës, njëherit deputet i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burg efektiv në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Lekajt i është shqiptuar edhe dënim plotësues, ku i ndalohet ushtrimi i funksionit publik në administratë publike për 3 vite e gjashtë muaj.

Ndërkohë, ish-sekretari i Ministrisë Nebih Shatri me një vit e tetë muaj, drejtori i Prokurimit Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim dhe këshilltari Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel-Enkës” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të  vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit  dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosot financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje aktakuza thotë se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel-Enkës” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor të vitit 2018.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili Kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Sipas prokurorisë pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”. Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara).  Këtë rekomandim sipas Prokurorisë e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Rasti i njohur si “53-milionëshi”, Gjykata pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të mërkurë pritet të shpallë aktgjykimin në rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Në këtë rast akuzohen ish-ministri i infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltari i tij politik, Eset Berisha, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri, në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel & Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Secili veç e veç akuzohen për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Siç mësohet, seanca pritet të fillojë së shpejti.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, kurse mbrojta lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat