Qorrolli: Qeveria Kurti pa asnjë aferë korruptive

Aktuale

Qorrolli: Qeveria Kurti pa asnjë aferë korruptive

Më: 31 janar 2024 Në ora: 00:47
Vigan Qorrolli

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka thënë se Qeveria Kurti është e vetmja qeveri e cila nuk e ka asnjë aferë korruptive.

Ai ka thënë se korrupsionin e lufton prokuroria dhe pastaj e gjykon një gjykatë e themeluar me ligj. Sipas tij detyrë e ministrisë është që të përmirësojë infrastrukturën ligjore. “Kemi përmirësuar skajshëm Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Do ta plotësojmë edhe më tutje komplet legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.

Qorrolli ka përmendur si sukses hyrjen në fuqi të Ligjit kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

“Tani do të tentojmë ta përmirësojmë edhe më tej Kodin Penal edhe me disa institute të reja, të cilat nuk ekzistojnë aktualisht, në mënyrë që arkitektura ligjore të përshtatet dhe pastaj prokuroritë dhe gjykatat ta kenë sa më lehtë luftimin ordiner të krimit, i cili është i çdoditshëm dhe ndodh në çdo shoqëri, që nga krimi ordiner deri te krimi politik dhe pastrimi i parasë”, ka shtuar Qorrolli.

Përkundër punës së suksesshme, ai ka thënë se nuk ka vend për vetëkënaqësi sepse sipas tij ‘binomi qeveri dhe gjyqësor duhet që çdo ditë, secila në kompetenca të veta, ta luftojë krimin sa më egërsisht që të jetë e mundur”.

Ai ka thënë se si ministri e Drejtësisë po punojnë që ta përmirësojnë infrastrukturën ligjore që prokurorët t’i ndjekin edhe rastet që kanë të bëjnë me keqpërdorimet e detyrave zyrtare, pasi synimi është që Kosova të bëhet një shtet sa më kredibil.

Ai tutje ka thënë se raporti i “Transparence International” ka qenë pozitiv për Kosovën. “E kam lexuar raportin dhe Kosova nuk ka rënë më poshtë. Ky është një lajm shumë pozitiv. Do të ishte shumë lajm i keq që Kosova të binte në ranglistë. Kjo do të thotë se Kosova ka bërë progres. Ata e quajnë me një gjuhë të kujdesshme që Kosova ka bërë progres të lehtë, por megjithatë quhet progres”, ka nënvizuar Qorrolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat