Në vendet ku u “varrosën” krimet serbe, Kosova synon të bëjë sërish gërmime

Aktuale

Në vendet ku u “varrosën” krimet serbe, Kosova synon të bëjë sërish gërmime

Më: 30 janar 2024 Në ora: 19:53
Pamje nga vendi i ngjarjes

Letra e një studenti serb të cilën në pranverën e 99-s po e lexonte gazetari dhe shkrimtari i britanik Christopher Hitchens përmbante sekretin që do ta trondiste botën.

Një mik i familjes së këtij të riu serb po punonte shofer i kamionëve me të cilët kufomat e shqiptarëve të vrarë nga Serbia në Kosovë po dërgoheshin për tu fshehur në Vojvodinë.

Gjatë muajit maj në bregun e lumit Danub, afër fshatit Tekija në Serbi, nga kamioni ngrirës i thertores së kafshëve, dolën në sipërfaqe të ujit trupat e 86 civilëve shqiptarë, bashkë me kokat e tre civilëve të tjerë.

Për të fshehur krimin në mënyrë sekrete nga Policia e Serbisë u ri-varrosën në poligonin ushtarak në Batajnicë.

Në vitin 2001 bashkë me këta civilë në varrezën masive në Batajnicë janë gjetur 744 trupa, në Rudnicë janë gjetur 52 civilë, në Petrovo Selo, 61 trupa, dhe pranë liqenit Peruqac 84 trupa.

Në disa nga këto lokacione autoritete e Kosovës po kërkojnë të ri-kthehen edhe një herë.

“Ne po dyshojmë shumë që nuk kanë arritur me i marrë të gjitha trupat, po tentojmë të ri-kthehemi në këto tri zona. Batajnicën që e përmenda, Peruqja dhe Petrovosello sepse ne kemi dyshime të bazuara që ende ka trupa në atë pjesë”, ka thënë Andin Hoti.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur tregon se do të kërkojnë qasje edhe në dokumentet që flasin për krimet në zonën e Drenicës.

“Është arkivi për brigadën 37 (Brigadë ushtarake e Serbisë) që ka operuar ka kryer krime në zonën e Drenicës. Në këtë rast ushtri, ushtri është fjala…”, ka shtuar Hoti.

Hoti tregon se në vitin paraprak brenda në mbi 15 lokacione janë gjetur mbetje të mbi 20 trupave. Ndërkaq gjatë vitit 2024 planifikojnë të kryejnë gërmime në fshatin Repë të Podujevës, në Prekaz në lokacion të ri, në Prizren, në Kamenicë dhe në Gjilan.

Në takimin përpos Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë të deleguar 3 anëtarë të Kosovës përfshirë një nga UNMIK-u, si dhe 4 përfaqësues nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat