Xani: Do të ishte gabim fatal për Kosovën nëse vendimi i BQK-së diskutohet në nivel të dialogut

Aktuale

Xani: Do të ishte gabim fatal për Kosovën nëse vendimi i BQK-së diskutohet në nivel të dialogut

Më: 30 janar 2024 Në ora: 18:13
Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani ka thënë se do të ishte gabim për Kosovën nëse do të pranonte që vendimi i BQK-së për shfuqizimin e dinarit të diskutohej në nivel të negociatave me Serbinë.

Kjo pasi sipas Xanit, nëse kjo do të ndodhte atëherë do të krijohej një praktikë që për çdo pakënaqësi të serbëve të diskutohej në nivel të dialogut.

“Sa i përket dinarit do të ishte gabim fatal për Kosovën nëse pranon të paktën për të diskutuar në nivel të negociatave ose edhe me lehtësuesin. Për shkak që kjo temë nuk do të duhej fare të përfshihej në dialog, sepse do të përdoret pastaj një lloj praktike e keqe që çdo  pakënaqësi e serbëve të diskutohet dhe të vendoset përmes dialogut. Dhe nëse do të kemi pra praktikë të tillë, do të kemi një dialog pa fund dhe çdo herë që ka tema të caktuara dhe pakënaqësi do të kërkohet negociata, dialog në Bruksel. Do të thotë një shpenzim të energjisë së madhe”, tha Xani.

Madje Xani tha se presioni sa i përket dinarit mund edhe të shtohet nga ndërkombëtarët, por që Kosova do të duhej të vlerësonte vendimin e BQK-së, pasi sipas tij, në qoftë se kjo temë diskutohet me lehtësues, ateherë ai konsideroi që Kosova do të jetë e humbur çysh në hapin e parë.

“Presioni ndërkombëtarë mund të shtohet varësisht nga vendosshmëria jonë, por konsideroj që në aspekt strategjik më mirë është me vlerësu Kosova këtë vendim të tyre për të shtyer ose për ta ekzekutuar, sidoqoftë por në asnjë mënyrë për të hapur si bisedë në Bruksel. Sepse hapja e kësaj teme në Bruksel është një praktikë, që do të instalohet një praktikë e re që varësisht prej krizave të caktuara dhe çdo veprim do të synohet që të diskutohet në Bruksel dhe çdo temë e diskutimit me lehtësues ka kompromis dhe në këtë aspekt është Kosova e humbur çysh në hapin e parë”, shtoi ai.

Ndryshe, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur sot në Kosovë ku është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat