Hovenier i shkon në zyre guvernatorit, kërkon shtyrje të vendimit për dinarin

Aktuale

Hovenier i shkon në zyre guvernatorit, kërkon shtyrje të vendimit për dinarin

Më: 29 janar 2024 Në ora: 20:20
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kërkesa e QUINT-it që të mos zbatohet nga 1 shkurti rregullorja që ndër të tjera e përjashton dinarin serb nga përdorimi është ri-përsëritur nga ambasadori amerikan në Prishtinë.

Ambasadori Jeffrey Hovenier, e vlerëson dhe pajtohet me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por kërkon më shumë kohë.

Jeff Hovenier, Ambasador i SHBA-së ka shtuar se “…besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë dhe nevojitet periudha e tranzicionit, dhe disa çështje duhet të zgjidhen të cilat nga këndvështrimi ynë nuk duket se janë zgjidhur ende, kështu që ne si QUINT kemi kërkuar shtyrje të vendimit të zbatimit për të lejuar realizimin e kësaj pune”

Këtë qëndrim Hovenier i’a ka përcjellë personalisht gjatë ditës edhe guvernatorit, Ahmet Ismaili, gjatë vizitës në zyret e BQK-së.

Ndërkohë nga guvernatori Ismaili, ambasadori amerikan është njoftuar për ligjshmërinë dhe dobinë e zbatimit të kësaj rregulloreje, duke theksuar nevojën që të ketë komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me ndikimet e mundshme dhe kufizimet.

Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se “Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Guvernatori i BQK-së e njoftoi secifikisht se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. “

Kërkesa saktësisht të njëjta për Kosovën vijnë edhe nga Bashkimi Evropian.

Peter Stano – Zëdhënës i BE-së, ka theksuar se “Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia. Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”

Përpos shtyerjes së afatit të zbatimit shtetet e QUINT-it të dielën kanë kërkuar që çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut në Bruksel.

RTV Dukagjini ka kërkuar qëndrim nga Qeveria e Kosovës lidhur me këto kërkesa, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje. Pikërisht në raport me veprimet e Qeverisë, drejtori i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri,  vlerëson që e vetmja gjë që pritet nga pushtet është ta zgjasë edhe pak periudhën e zbatimit të rregullores.

Visar Ymeri, Instituti Musine Kokolari ka thënë se “Kërkesa për afat shtesë nuk më duket e pa-arsyeshme kërkesa për ta negociuar këtë çështje jo afatin po për ta negociuar nëse zbatohet vendimi ose jo mendoj që është e pa-arsyeshme sepse nuk ka kurrfar kuptimi, dhe shpresoj e nuk po më duket që po e bënë dikush këtë kërkesë.”

Ymeri po ashtu thotë që Qeveria duhet ta shpjegojë qëllimi e vendimit dhe të mirat e tij, pasi që ka rrezik të keqpuptohet dhe të shihet me shqetësim dhe si armiqësor nga komuniteti serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat