Zyrtari i MPB-së kapet me 18 kg narkotikë në Serbi, dërgohet në mbajtje

Aktuale

Zyrtari i MPB-së kapet me 18 kg narkotikë në Serbi, dërgohet në mbajtje

Më: 25 janar 2024 Në ora: 21:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

32 pako, me një sasi prej 18 kilogramësh narkotikë të llojit marihuanë, policia e Serbisë po pretendon se i ka gjetur në veturën që vozitej nga një kosovar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ka publikuar inicialet e të ndaluarit, nga dita e martë, i cili në mediat vendore është identifikuar si Drilon Berbati, që po voziste një automjet me targa të Austrisë.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, teksa pritet që ndaj tij të merren edhe masa tjera ligjore.

Berbati, jo zyrtarisht është kuptuar se është zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, konkretisht pjesë e departamentit të pasaportave në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Megjithatë, sipas këtyre informatave, ai rezulton se ishte i suspenduar shkaku i një aktakuze që i ishte ngritur para një viti.

Berbatit që është me prejardhje nga Peja, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria në Prishtinë pasi që i njëjti dyshohet se ka shfrytëzuar jashtëligjshëm vendin e tij të punës, dhe ka bërë falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ai dyshohet se ia ka dhënë identitetin e rrejshëm një të kërkuari nga INTERPOL.

Më 20 korrik të vitit 2023 atij Gjykata i ka shqiptuar masën e paraburgimit për një muaj duke thënë se dyshimet e prokurorisë janë mirë të bazuara.

Derisa MPB-së nuk kanë komentuar ende një zhvillim të tillë, Ministria e Jashtme e Kosovës kanë thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe as nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin e Bebatit.

Në një përgjigje ata kanë thënë se Ambasadori Jashari ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat