Heqja e billbordeve, ish – koloneli i FSK-së: Qesharake që dy ministra të merren me pllaka në Zveçan

Aktuale

Heqja e billbordeve, ish – koloneli i FSK-së: Qesharake që dy ministra të merren me pllaka në Zveçan

Më: 25 janar 2024 Në ora: 18:31
Afrim Veseli

Ish – koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, për largimin e billbordeve ilegale në Zveçan, në një lidhje direkte ka thënë se të gjitha pllakat që japin mesazhe jo të mira duhet të hiqen.

“Të gjitha pllakat që kanë mesazh nacionalist, shovenist, që përçojnë mesazh të mos bashkëjetesës mes njerëzve duhet të heqën në veri, jug dhe kudoqoftë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se ato billborde janë të vendosura nga kriminelët serb dhe strukturat serbe që veprojnë në veri.

“Ato (billbordet) do të duhej të hiqeshin që moti, nuk duhet të lihen. Mirëpo më është dukur shumë qesharake, që dy ministra të gjejnë kohë dhe të mirren me largimin e dy pllakave, kur këtë do të duhej të bënte ministria e Infrastrukturës përmes mekanizmave…Në këtë faze që jemi duke ecur Kosova nuk duhet të dërgoj mesazhe të tilla të nivelit politik”, ka thënë Veseli.

Veseli është shprehur se është thënë shumë herët që ne nuk e duam Vuçiqin e Putinin, por, sipas tij, nuk është e nevojshme kur nga niveli politik të zbritet në nivelin siç ai e quajti, “të huliganëve të veriut”.

Ish – koloneli i FSK-së ka shtuar se në këso situata duhet të veprohet me mençuri dhe jo për popullizëm, duke shtuar se mendon që jemi në një vit zgjedhor dhe këtë veprim ministrat e kanë bërë për të marrë vota.

“Ne synojmë anëtarësimin në BE dhe NATO. Me mesazhe të tilla ne nuk do të ecim përpara”, ka theksuar ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot në Zveçan janë larguar këto billborde ilegale.

Ministri ka thënë se “këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”.

Sveçla ka shpërndarë videon gjatë këtij aksioni, ku shihet se i pranishëm ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat