Gjendja e dy minatorëve vazhdon të jetë e rëndë

Aktuale

Gjendja e dy minatorëve vazhdon të jetë e rëndë

Më: 25 janar 2024 Në ora: 08:39
Minatorë

Kujtim Selmani, po vazhdon punën e tij në horizontin e 11-të të Minierës së Stantërgut në Trepçë.

Por pranë tij nuk janë dy shokët me të cilët ishte bashkë duke punuar me 18 janar.

Ata po trajtohen pas lëndimeve që morën nga rrjedhja e acidit industrial.

Ky incident ka tmerruar minatorin, i cili tregon në detaje si ndodhi ngjarja.

“Për një moment e kam ni zhurmën, ka bërtitë aty dikush edhe kam dalë me ju ndihmu shokëve, e jam tmerru që ju ka ra acidi. Jemi mundu me ju dhënë ndihmë, me tërhek gypin por kam marrë menjëherë ngushtim në gjoks e në sy e jam largu me mbikëqyrësin e shokun prej aty. Pastaj kam pasë probleme tjera, kemi dalë nalt na kanë dhanë ndihmën e parë edhe jemi shku në shpi”, tha ai.

Selmani, çdo hap në proces të punës po e bën me kujdes.

“Normal, mirë është duke u punu, mirë është, duhet me pas kujdes gjithë, po ishalla Zoti na run tanve”, thotë Selmani.

Por fatin si të Selmanit, nuk e patën të gjithë minatorët tjerë.

Dy prej tyre morën lëndime më të rënda.

“Fatkeqësia ka qenë se dy minatorët që kanë pasë lëndime më të rënda kanë qenë rreth 30 metra më poshtë se këtu dhe si rezultat i asaj thellësisë atyre ju ka shku një sasi ku edhe kanë pasë lëndime më të rënda”.

Gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë edhe pas një jave nga incidentit.

“Njëri e ka gjendjen më të rëndë, të dy sytë i ka djegie e plotë, djegia ka ndodhë me acid, edhe e syrit edhe e kapakëve, i ka të dy sytë, ky është më i rëndë. Invaliditeti shumë i madh, e edhe përmasat e lëndimit janë të mëdhaja. Tjetri është pak më i lehtë, por edhe ai merr pjesë në natyrën e rëndë të lëndimeve. Mirëpo ai është më mirë sepse njëri sy është shumë më pak i përfshirë, gjithqysh i përfshirë, ky syri tjetër është i përfshirë sikurse te pacienti i parë”, thotë Ferit Pervetica, oftamolog.

Pas trajtimeve mjekësore, disa prej minatorëve janë duke vazhduar pushimin, ndërsa një pjesë është kthyer në aktivitetet e punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat