Me kërkesë të avokatit, anulohet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog

Aktuale

Me kërkesë të avokatit, anulohet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog

Më: 24 janar 2024 Në ora: 11:13
Foto ilustrim

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit për krime lufte Çaslav Joliq, avokatit Miodrag Brkljaq, është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo u konfirmua nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Musa Konxheli.

Nga zyra e gjykatësit Konxheli bënë të ditur se avokati Brkljaq kishte kërkuar anulimin e seancës për arsye shëndetësore.
Po ashtu, u tha se palët janë njoftuar me kohë për anulimin e kësaj seance dhe asaj të paraparë për të enjten (25 janar).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat