Ndalimi i qarkullimit të dinarit serb, BQK pas takimit me Szunyog: Ka të bëjë me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar

Aktuale

Ndalimi i qarkullimit të dinarit serb, BQK pas takimit me Szunyog: Ka të bëjë me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar

Më: 24 janar 2024 Në ora: 07:25
Foto nga takimi

Të martën janë takuar guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili dhe ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ndërkaq kanë biseduar për Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se e vetmja valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave  në Republikën e Kosovës është euro.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se me theks të veçantë, u sqaruan aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj, avancimi i kornizës rregullative për kujdesin e duhur dhe luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe parandalimi i hyrjes së tyre në sistemin financiar, identifikimi dhe tërheqja e valutave të dyshimta nga qarkullimi, etj.

Nga përfaqësuesit e BQK-së u sqarua se sikur edhe ndryshimet tjera legjislative edhe kjo Rregullore synon adaptimin e praktikave më të mira të Bashkimit Evropian, që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar, luftimin ndaj parave të falsifikuara, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, informalitetit, si dhe avancon mbrojtjen dhe edukimin e qytetarëve nga dukuri të tilla të rrezikshme dhe të kundërligjshme.

Meqë Rregullorja është e aplikueshme për institucionet financiare dhe përcakton kërkesat ligjore dhe teknike për operacionet me para të gatshme, si e tillë nuk trajton apo kufizon transaksionet vullnetare ndërmjet individëve apo palëve që nuk janë subjekt i rregullimit të BQK-së”, thuhet në njoftim.

Më tej u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK. Gjithashtu, u diskutua për mundësitë ekzistuese dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshime financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në linjë me këto ndryshime, u diskutua për nevojën për një komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me efektet e mundshme dhe kufizimet e kësaj Rregulloreje, si dhe mundësitë ekzistuese ligjore për qasje në shërbime të sigurta financiare. Për këtë, BQK-ja u zotua se do të vazhdojë me aktivitete informuese dhe sensibilizuese të përshtatshme dhe efektive për publikun.

Ndërkaq, lidhur me takimin ka shkruar edhe ambasadori i BE-së, Szunyog.

Ai në një postim në X shkruan se Szunyog e ka pyetur Ismailin për punën e zbatimit të këtij vendimi pasi që pritet të ndikojë sidomos në jetesën e qytetarëve në zonat e banuara me shumicë serbe.

Ai ka thënë se është shqetësuese që ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.

U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara.

E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat