Gjendja e vajzës që e zuri kulmi i Komunës së Prishtinës, Uka: Po mbahet në gjumë me barna

Aktuale

Gjendja e vajzës që e zuri kulmi i Komunës së Prishtinës, Uka: Po mbahet në gjumë me barna

Më: 22 janar 2024 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Drejtori i Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, ka thënë se Elza Ujkani, vajza të cilën e zuri kulmi i objektit të komunës në Prishtinë, është ende duke u trajtuar.

Ai tha se 23 vjeçarja është ende në gjumë me barna.

“Pacientja që po iu referoheni po vazhdon të qëndrojë edhe më tutje në Mjekim Intensiv. Vazhdon të qëndrojë në gjumë me barna, e kyçur në aparaturën mjekësor, vazhdon me marrë krejt terapinë çka duhet dhe ne vazhdojmë ta monitrojmë dhe të qëndrojmë në pritje me pa gjendjen e përgjithshme të saj”, tha ai.

Të enjten ka rënë kulmi i objektit të komunës së Prishtinës që ndodhet në lagjen “Arbëria”.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari Përparim Rama përmes një postimi në Facebook, i cili ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.

”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.

“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Rama të enjten.

Ndëkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat