​Kurti në Davos: Kosova është një storie suksesi

Aktuale

​Kurti në Davos: Kosova është një storie suksesi

Më: 19 janar 2024 Në ora: 14:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova është një histori suksesi, e një vend që e ka ndërtuar veten në një demokraci edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, ka thënë kryeministri Albin Kurti në panelin e diskutimit "Përputhja e financave me nevojat" organizuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Në këtë panel diskutimi të mbajtur dje, morën pjesë edhe sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe David Cameron, ministrja e Ekonomisë dhe Financave e Marokut, Nadia Fettah Alaoui, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Aide, ish-sekretari për Punë të Jashtme të Britanisë, David Milliband, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Juergen Voegele dhe ekonomistja Vera Songwe.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se vitet e fundit, vendi ynë ka treguar se progresi ekonomik dhe demokratik ecin krah për krah, duke theksuar se qëndrueshmëria është thelbësore për sukses të vazhdueshëm dhe stabilitet institucional.

"Një vend përparon kur progresi ndihet nga qytetarët dhe kjo kombinohet me stabilitetin institucional. Stabiliteti institucional qëndron më lart se stabiliteti politik dhe mundëson përparimin dhe qëndrueshmërinë e një progresi të tillë," tha Kurti, duke potencuar se reformat demokratike të Kosovës janë të dokumentuara edhe në aspektin ndërkombëtar.

Ai veçoi rolin e ndihmës për nxitjen e demokracive duke theksuar gjithashtu rëndësinë e një qeverisjeje demokratike lokale në mënyrë që kjo ndihmë të mbërrijë sa më shumë te qytetarët.

“Kombinimi i këtyre të dyjave do të jetë shtytës në tranzicione të rëndësishme për vendin, si investimet e gjelbra dhe rritja e mëtejshme”, u shpreh Kurti.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se tri kategori të popullsisë po ndërtojnë progresin në Kosovë gratë, të rinjtë dhe punëtorët.

“Në të tri këto kategori, diaspora është gjithnjë e pranishme edhe me remitancat e së fundmi edhe me investimet e saj në ekonominë tonë," tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat