Qytetari serb: Duam kryetar legjitim, s’mundet një shqiptar me 3% të votave ta drejtojë komunën

Aktuale

Qytetari serb: Duam kryetar legjitim, s’mundet një shqiptar me 3% të votave ta drejtojë komunën

Më: 19 janar 2024 Në ora: 13:11
Pamje nga Komuna e Zveçanit, ku po bëhet mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit.

Një qytetar serb nga komuna e Zveçanit, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka thënë se një shqiptar nuk mund të jetë kryetar komune me një përqindje votash prej 3 për qind.

Ai ka shtuar peticioni për shkarkimin e kryetarit Ilir Peci është tregues i qartë që qytetarët janë pro zgjedhjes së një kryetari legjitim.

Përveç kësaj, ai ka bërë thirrje për një zgjedhje të drejtë dhe legjitime, duke i lënë popullit mundësinë të shprehet dhe të vendosë për kryetarin e tyre.

“Që shqiptari të bëhet kryetar në komunën e Zveçanit, kjo nuk është legjitime. Populli e ka treguar se është për zgjedhjen e kryetarit legjitim. Le ta thotë populli fjalën e vet. Nuk mundet që një shqiptar me 3 për qind të votave ta drejtojë një komunë. Askund në botë nuk ndodh kjo”, ka thënë ai.

Ai ka mbështetur idenë e bashkëjetesës me shqiptarët në Zveçan dhe ka theksuar se dëshiron të jetojë dhe të punojë në këtë komunë së bashku me të gjithë komunitetin, pavarësisht prej prejardhjes së tyre etnike.

Kjo, sipas tij, do të kishte një bazë të fortë reale dhe të sinqertë për bashkëjetesën në këtë rajon.

Ai, gjithashtu, ka shprehur qëllimin e tij për të jetuar dhe punuar në këtë komunë me shqiptarët dhe serbët.

“Ne duam që të bashkëpunojmë me shqiptarët dhe të jetojmë së bashku në këto hapësira. Mbi baza reale e të sinqerta të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Kosova është e tyre, por edhe e jona që jetojmë këtu. Personalisht kam dhënë  dëshmi se dua të jetoj këtu me shqiptarët, sepse kam biznesin tim dhe dua që të jetoj këtu me familjen time. Nuk dua që me tre fëmijët e mi të detyrohem të shpërngulem. Dua të jetoj e të punoj këtu së bashku me shqiptarët dhe serbët”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat