Reagon deputeti Uka: Heshtja ime është protestë

Aktuale

Reagon deputeti Uka: Heshtja ime është protestë

Më: 17 janar 2024 Në ora: 18:47
Fitim Uka

Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka, tha se heshtja e tij në Kuvend gjatë vitit 2023 është protestë e tij për, siç tha ai, kur zëri i tij përbën “pengesë”.

Reagimi i tij vjen pas një lajmi që listoi pesë deputetët që s’folën asnjëherë vitin e kaluar në Kuvend, ndër të cilët ishte edhe Uka.

“Kur zëri im është “pengesë”, heshtja ime është protestë! Kur më shumë ka vlerë forma se sa përmbajtja, e më e çmueshme është sekuenca se sa procesi… ndodhë edhe kjo”, ka shkruar ai, duke bashkëngjitur fotografinë me gojë të mbyllur.

Në janar të 2022-ës, Uka ishte larguar nga Komisioni për Arsim me arsyetimin se shumica e ideve dhe propozimeve të tij nuk kanë gjetur mbështetjen apo nuk janë realizuar në këtë komision.

“Prandaj, e kam gjykuar që dikush tjetër mund të bëjë përfaqësim më të mirë duke mos u perceptuar si “pengesë”, kishte thënë ai.

Ky vendim çoi në disa raportime se Uka do të largohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë, ai pati mohuar se do të dorëhiqej.

“Nuk është e vërtetë që jam larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe as që e kam ndërmend të bëj diçka të tillë. Brenda apo jashtë Kuvendit unë do të jem në mbështetje të parimeve dhe vlerave të mirëfillta të Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte thënë Uka.

Në zgjedhjet e fundit Uka pati marrë 12 mijë e 178 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat