KMDLNj-ja i reagon Cramonit: Serbët në Kosovë janë më të privilegjuar se shumica absolute

Aktuale

KMDLNj-ja i reagon Cramonit: Serbët në Kosovë janë më të privilegjuar se shumica absolute

Më: 16 janar 2024 Në ora: 17:31
Viola von Cramon

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon derisa ishte në vizitë në Kosovë në Manastirin e Graçanicës, e shoqëruar nga krerët më të lartë të Kishës deklaroi se të gjitha objektet fetare si dhe trashëgimia kulturore janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe duke e përjashtuar Kosovën krejtësisht nga kjo e drejtë.

Ndaj kësaj deklarate të Cramon ka reaguar KMDLNj, duke e cilësuar si politike për të ledhatuar egon e Kishës.

“Natyrisht se kjo ishte deklaratë politike për të ledhatuar egon e Kishës ndryshe do të duhej të ishte më e rezervuar në këto deklarata që vetëm shkaktojnë fërkime të panevojshme ndërfetare dhe ndëretnike. Pastaj, që sa është e pavërtetë, është edhe skandaloze deklarata e saj se: “në bazë të bisedës me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se ata ndjehen si qytetarë të rendit të dytë….” shkruan në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas tyre serbëve në Kosovë nuk iu mohohet asnjë e drejtë që iu takon sipas ligjeve në fuqi madje, në shumë fusha janë më të privilegjuar se shumica absolute e që janë shqiptarë kurse pakicat tjera nacionale në Kosovë janë jashtëzakonisht të diskriminuara krahasuar me serbët.

“Serbët nuk kanë paguar, që nga përfundimi i luftës faturat për rrymë, mbeturina, ujë, tatim në pronë dhe shërbime tjera sikur që as sot e kësaj dite nuk i paguajnë këto fatura në Veri të Kosovës. Për vite të tëra marrin rroga nga Buxheti i Kosovës pa punuar edhe as një ditë të vetme. Dhuna ndëretnike është në nivelin më të ulët të mundshëm dhe shumë më i ulët se në vendet e rajonit përfshirë këtu edhe
Serbinë. Vendet e punës në Gjyqësorë, prokurori, polici, FSK dhe institucionet tjera buxhetore nuk i kanë lëshuar për shkaqe ekonomike por sipas kërkesës politike të Beogradit”
, shkruan mes tjerash në reagimin zyrtar.

Aty përmendet po ashtu fakti se serbët në Veri të Kosovës por edhe në pjesët tjera kanë ndërtuar një sistem arsimor me kurikula të Serbisë dhe një jetë paralele ekonomike dhe politike.

“Viola von Cramon nuk është aspak korrekte gjatë raportimit dhe, me qëndrimet e saj trimëron serbët që të mos integrohen në institucionet e Kosovës. Në këtë funksion janë edhe deklaratat e saj gjatë vizitës së fundit në Kosovë e që e bie në dyshim serioz raportimin e saj për një qëndrim të paanshëm, të pandikueshëm dhe të pavarur që do të duhej të ishte misioni i saj si Raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.” thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat