Pjesëtari i Zonës Operative të Dukagjinit del si dëshmitar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Thaçi ishte kryesori

Aktuale

Pjesëtari i Zonës Operative të Dukagjinit del si dëshmitar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Thaçi ishte kryesori

Më: 15 janar 2024 Në ora: 17:36 Përditësuar në ora: 18:16 më 15.01.2024
Pamje nga gjykimi në Hagë

Dëshmitari i 39-të i ZPS-së do të vazhdojë dëshminë edhe nesër në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493 do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e nesërme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtroj ZPS e përfaqësuar nga prokurori Nathan Quick.

E gjithë dëshmia e këtij dëshmitari gjatë ditës së sotme është dëgjuar në sesion privat edhe në kohën kur mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Luka Misetic ka filluar kundërpyetjet për dëshmitarin.

Në sesion privat, dëshmitari i 39-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë nën masa mbrojtëse ka filluar dëshminë dëshmitari i 39-të i Zyrë së Prokurorit të Specializuar (me kodin 01493), në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Para se të fillohet me pyetje për këtë dëshmitar, Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga prokurori Nathan Quick tha se dëshmitari do të jep informacion sa i takon strukturës dhe marrëdhënieve në mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe FARK-ut.

“Dëshmitari ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit nga mesi i vitit 1998 dhe jep informacion sa i takon strukturës dhe marrëdhënies ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave të armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). FARK-u dhe njësitet e caktuara në dhe përreth Zonës Operative të Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Republikës së Qeverisë së Kosovës që është njohur ndryshe edhe si Qeveria në ekzil. Në takimet ndërmjet FARK-ut dhe anëtarëve të UÇK-së, rreth gushtit 1998 dhe fillimit të shtatorit 1998, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Bislim Zyrapin dhe Lah Ibrahimajn kanë vendosur autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së mbi forcat e Zonës Operative të Dukagjinit”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes për këtë dëshmitar.

Sipas asaj çka lexoi prokurori, dëshmitari kishte thënë se Thaçi ishte personi më i lartë në UÇK gjatë kësaj periudhe kohore.

“Sipas dëshmitarit, Thaçi ishte nëpunësi dhe personi më i lartë i UÇK-së në këto takime. Dëshmitari po ashtu jep informacion sa i takon strukturës së organizimit të njësive të caktuara të UÇK-së dhe FARK-ut në Shqipëri në fund të vitit 1998 dhe 1999. Rreth marsit 1999, dëshmitari ka gjetur një dokument që supozohet që është nxjerrë nga Azem Syla dhe Jakup Krasniqi në një bazë të caktuar në Shqipëri”, tha prokurori.

Sipas tij, ky dokument tregon autoritetin ekskluziv që kishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në raport me atë të Qeverisë në ekzil.

“Dokumenti parashikon dhe tregon autoritetin ekskluziv të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe mohon autoritetin e Qeverisë në ekzil. Dëshmitari jep informacion rreth trajtimit të UÇK-së të personave oponent të perceptuar prej saj si të tillë përfshirë këtu edhe anëtarë të FARK-ut dhe bashkëpunëtor të pretenduar në Zonën Operative të Dukagjinit e vende të caktuara në Shqipëri”, tha tutje prokurori Quick.

Me kërkesën e ZPS-së, deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët së bashku me materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale.

Ndërsa, pyetjet për këtë dëshmitar kanë filluar që të parashtrohen në sesion privat për publikun nga prokurori Quick.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë përafërsisht 2 deri në 3 ditë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë 2 orë për marrjen në pyetje këtë dëshmitarë, ndërsa mbrojtja 10 deri në 11 orë.

Para se të fillojë dëshminë ky dëshmitar, trupi gjykues mori katër urdhra me gojë e që një prej tyre u mor në seancë private për publikun.

Së pari u mor urdhër që me kërkesën e mbrojtjes së Veselit të pranohet një faqe e një materiali që iu është prezantuar dëshmitarit W0261.

Një urdhër kishte të bënte me provat e sekuestruara nga të akuzuarit. U urdhërua ZPS-ja që të identifikoj tek lista e provave materiale që tashmë janë pranuar, të identifikoj se cila prej tyre janë marrë gjatë kontrollit në shtëpinë e një prej të akuzuarve.

Kurse urdhri tjetër ngarkoi ZPS-në që të dorëzoj incizimet audiovizive të dëshmitarëve që deklaratat e tyre tashmë janë pranuar në këtë çështje gjyqësore.

Ky dëshmitar po e jep dëshminë e tij përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Pjesëtari i Zonës Operative të Dukagjinit del si dëshmitar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Thaçi ishte kryesori

Ka filluar dëshminë, dëshmitari i mbrojtur 01493 në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Shumica e dëshmisë së tij është e mbyllur, por në prezantimin që ia bëri prokurori Nathan Quick, tha se dëshmitari ka qenë pjesë e Zonës Operative të Dukagjinit.

Ai tha se do të flasë për strukturën dhe marrëdhënien mes UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Kosovës, FARK, të udhëhequra nga qeveria në ekzil.

Quick tha se dëshmitari ka deklaruar se personi kryesor në UÇK ka qenë Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat