​Partitë opozitare optimiste se do ta formojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme

Aktuale

​Partitë opozitare optimiste se do ta formojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme

Më: 15 janar 2024 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës do të nisë të enjten me një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, të iniciuar nga PDK-ja dhe përkrahur edhe nga dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK. Partitë opozitare përmes rezolutës do të kërkojnë zbritjen e çmimit të rrymës dhe largimin e bllok-tarifës. Krahas kësaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, opozitarët shprehën gatishmërinë për shkuarjen në zgjedhje të reja, derisa nënvizuan se të njëjtat do të krijojnë qeverinë e ardhshme dhe jo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pas stabilizimit të çmimit të energjisë nivel global duhet të ketë reflektim edhe në Kosovë, duke zbritur çmimin e energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.

Tahiri: Të zbritet çmimi i energjisë dhe të hiqet bllok-tarifa

“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së me mbështetje edhe të 40 deputetëve nga radhët e partive opozitare kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka asgjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar të fillojë me diskutimet për çmimin e energjisë elektrike. Ju e dini shqetësimet e mëdha që i kanë shprehur qytetarët e Kosovës që po paguajnë padrejtësisht çmimet e larta të energjisë elektrike në vend...Njëkohësisht kemi propozuar Kuvendit një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë zbritjen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok-tarifave”, tha ai.

Fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit me seancë të jashtëzakonshme e konsideroi si jo të mbarë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se legjislativi do të duhej të fillonte me një seancë të rregullt dhe me agjendën legjislative.

Ajo akuzoi PDK-në, e cila sipas saj po tenton të krijojë situata të jashtëzakonshme për të mos lejuar rrjedhën normale të punës në Kuvend.

Kusari-Lila: Është një fillim jo i mbarë i Kuvendit

“Përtej asaj nuk kemi të caktuar një seancë të rregullt që unë e konsideroj në fakt jo fillim i mbarë në një far mënyre, pasi do të duhej të kishim një seancë që fillon me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me agjendën që tashmë i ka 31 pika, ku janë një mori projektligjesh dhe marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo.

Mirëpo kritik ndaj mazhorancës për bllokim të punës në Kuvend u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se LVV-ja po pengon funksionimin e rregullt të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore.

Në anën tjetër, duke shprehur gatishmërinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partitë opozitare do të krijojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme dhe jo partia e tanishme në pushtet, LVV-ja.

Tahiri: Partitë opozitare do të krijojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme

“Konsiderojmë se ajo çka do të ishte më e mira, do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe ashtu jemi hy në kohën e vitit kalendarik kur iu ofrohemi zgjedhjeve, ky është viti i fundit i kësaj qeverie. Konsiderojmë se sa më herët që shkojmë zgjedhje do të përfitojnë qytetarët....Jemi të gatshëm dhe jemi të bindur se këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, LVV-ja nuk do të arrijë të krijojë qeverinë, por qeverinë do të krijojë opozita”, theksoi Tahiri.

Me bindje të njëjtë u shpreh edhe kolegu i tij opozitar nga LDK-ja, Arben Gashi.

Gashi: Ky është viti i fundit i qeverisë Kurti

“Kemi hy në vitin e fundit të qeverisjes Kurti. Ky është viti i fundit dhe maksimumi i mundshëm deri kur Kurti do të jetë në pushtet do të jetë një vit i plotë, por zgjedhjet maksimalisht do të duhej të shpalleshin në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të muajit janar apo shkurt të vitit 2025. Ky është kalendari i rregullt zgjedhor, mirëpo situatat politike ato janë çështje të jashtëzakonshme që do të japim përgjigje në kohën e duhur”, deklaroi Gashi.

Të gatshëm për zgjedhje u shprehën edhe AAK-ja, ku thanë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i fitojë kurrë më 50 për qind të votave.

Tahiri: AAK-ja është e përgatitur për zgjedhje

“Viti 2024 është vit zgjedhor. AAK-ja në këtë vit zgjedhor hyn më e përgatitur se kurrë. AAK-ja do të jetë boshti politik i të gjithë qytetarëve, subjekteve të tjera politike dhe të koalicioneve të ndryshme në mënyrë që me dhënë veprimin e duhur kurdo që mbahen zgjedhjet. Pres që zgjedhjet të jenë të rregullta, pasi Kurti nuk ka mundësi që të le tërë këtë privilegj, pasi e dinë mirë se kurrë më nuk do t’i merr 50 për qind”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria dhe Kuvendi në vitin e fundit të mandatit qeverisës janë të përkushtuar për të kryer sa më shumë deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Kusari-Lila: Do të vazhdojmë me përkushtim të kryejmë sa më shumë punë

“Ne vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në legjislativ dhe ekzekutiv që të kryejmë sa më shumë punë nga kontrata me qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 dhe në zgjedhje të shkohet në orar të rregullt. Nuk është fshehtësi, dihet se ky është viti i fundit i këtij mandati dhe si i tillë është një shtytje për ne që të shtojmë dinamikën dhe të realizojmë sa më shumë punë që janë nisur në vitet paraprake”, deklaroi Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat