BE i jep 6 miliardë euro Ballkanit – për të marrë mjete, Serbia kushtëzohet me normalizimin e raporteve me Kosovën

Aktuale

BE i jep 6 miliardë euro Ballkanit – për të marrë mjete, Serbia kushtëzohet me normalizimin e raporteve me Kosovën

Nga: Fatmir Beka Më: 12 janar 2024 Në ora: 17:43
Ilustrim

Vendet anëtare të BE-së janë të gatshme që t'i japin dritën e gjelbër planit të rritjes ekonomike për Ballkanin perëndimor, prej 6 miliardë euro, por për të marrë këto mjete kërkojnë vendosje të sundimit të ligjit dhe harmonizim të politikës me BE-në, shkruan “RTS” transmetojnë “Nova” edhe “Bota Sot”.

Krahas këtyre dy kushteve të përgjithshme për të gjitha vendet, Serbia ka edhe një kushtëzim shtesë nëse do shfrytëzimin e këtyre mjeteve, i cili në nëntor u propozua nga BE-ja, e kushti është zbatimi i marrëveshjes së normalizimit me Kosovën.

“Vendet anëtare në parim miratuan konceptin dhe vlerën e planit, por kanë insistuar në kushte të forta. Vendet e rajonit që nuk përparojnë apo që ngecin, nuk mund të llogarisin në mjete shtesë, e njëjta vlen edhe nëse nuk bëhet harmonizimi i politikës së jashtme me BE-në” , kanë deklaruar diplomatët.

Vendet anëtare veç kanë shqyrtimin për miratim të planit për Ballkanin perëndimor, ndërsa vendimi definitiv mund të pritet në shkurt, nëse bëhet ribalanci i buxhetit të BE-së deri në atë kohë, që u shty pas vetos nga Hungaria rreth ndihmave për Ukrainën.

Belgjika që kryeson BE-në dëshiron që debati rreth planit të BE-së për Ballkanin, të përfundojë para procesit zgjedhor për Parlamentin Evropian që është në qershor, ndërsa zbatimi i planit duhet të presë garniturën e re në KE.

Plani ka vlerën 6 miliardë euro, prej ku 2 miliardë janë pa kthim, bëhet fjalë për fonde të IPA, në të cilat Serbia dhe vendet kandidate kanë qasje.

Plani i KE nënkupton integrimin shkallë-shkallë të ekonomisë së Ballkanit në 7 sektorë të tregut të përbashkët, qysh në fazën e qasjes.

Me zbatimin e planit, Serbia mund të dyfishojë shumën e mjeteve pa kthim, që aktualisht është 200 milionë në vit, por burime diplomatike kanë deklaruar se kushtet e parashtruara veç po e zvarritin anëtarësimin e Serbisë në BE, e mund të ndikojnë edhe në mjetet që mund të marrë nga fondi i zhvillimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat