​Refuzohet apeli i Isni Kilajt kundër mbajtjes së mëtejme në paraburgim

Aktuale

​Refuzohet apeli i Isni Kilajt kundër mbajtjes së mëtejme në paraburgim

Më: 12 janar 2024 Në ora: 16:29
​Refuzohet apeli i Isni Kilajt kundër mbajtjes së mëtejme në paraburgim

Paneli i Gjykatës së Apelit ka refuzuar më 11 janar apelin e Isni Kilajt kundër vendimit të gjykatësit të vetëm për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.

Në vendimin e Apelit, thuhet se Kolegji nuk ka gjetur ndonjë gabim në zbatimin e standardit sa i përket dyshimit të bazuar si bazë për caktimin e masës së paraburgimit dhe se hedh poshtë pikën e parë të ankesës së Kilaj.

Në çdo rast, Kolegji rikujton se vendimet në lidhje me paraburgimin janë diskrecionale dhe gjyqtari i vetëm është në pozitë më të mirë për të trajtuar faktorët përkatës. Prandaj, Kolegji i Apelit nuk do të ndërhyjë, përveç nëse ankuesi demonstron ekzistencën e një gabimi të dukshëm në konkluzioni i gjyqtarit të vetëm. Kolegji konstaton se Kilaj dështon të demonstrojë një gabim të tillë, dhe rrjedhimisht hedh poshtë argumentet e Kilajt në nënpikën e tretë”, thuhet në vendim.

Në pikën e dytë të ankesës, Kilaj kishte parashtruar se gjyqtari i procedurës paraprake gaboi ligjin që konstatoi se paraburgimi ishte i nevojshëm.

“Kilaj parashtron se megjithëse gjyqtari i vetëm pranoi standardin e saktë të provës për të vërtetuar domosdoshmërinë e vazhdimit të paraburgimit, ai nuk e zbatoi këtë standard gjatë vlerësimit të provave, dhe si rezultat, gaboi në konstatimin e ekzistencës së rreziqeve të pengimit në të ardhmen dhe kryerjen e veprave penale në të ardhmen. Sipas tij, gjetjet e gjyqtarit të vetëm se ai “mund të ketë të ngjarë të pengojë procedimin ku mund të jetë i akuzuar”, “mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale” dhe “mund të kryejë vepra të tjera” nuk përbëjnë më shumë se “një mundësi për të materializuar një rrezik” e cila është “e pamjaftueshme” për të përmbushur standardin e kërkuar”, thuhet në vendim.

Kolegji konstaton se Kilaj nuk arrin të demonstrojë një gabim në mbështetjen e gjyqtarit të vetëm në gjetjet e tij si për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në arritjen e konstatimit për një rrezik pengimi në të ardhmen dhe kryerjen e veprave të ardhshme, andaj paneli hedh poshtë argumentet e Kilajt në këtë drejtim.

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, u arrestua vitin e kaluar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, pas bastisjeve disa orëshe në pronat e tij në Prishtinë e Lubizhdë të Malishevës.

Ai akuzohet për veprat penale pengim i personave zyrtarë për kryerjen e detyrave zyrtare, dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës.

Prokurori i rastit, Mat Holling në paraqitjen e parë të Kilajt para gjykatës në nëntor 2023 kërkoi që ky i fundit të mbahet në paraburgim në mënyrë që të mos pengohen apo frikësohen dëshmitarët.

Më 6 nëntor 2023, gjykatësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nikola Giju, urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Isni Kilajt.

Vendimi, mes të tjerash, thekson se gjykatësi Giju, pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve, ka vendosur se ka dyshime të bazuara se Kilaj ka kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, dhe se, për arsye të ikjes dhe rreziqeve tjera, mbajtja e mëtejshme e të dyshuarit është e përshtatshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat