Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e “Javelin”-ëve për Kosovën

Aktuale

Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e “Javelin”-ëve për Kosovën

Më: 12 janar 2024 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin” ka thënë se Kosova tani po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për aftësitë mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më marrëdhëniet me ShBA-të.

Osmani tha se si Komandante e Përgjithshme e FSK-së i përgëzon të gjitha përpjekjet dhe energjitë që institucionet mbrojtëse të vendit kanë bërë ndër vite për të siguruar që të përmbushen kriteret e përshtatshmërisë së Programit të Shitjes së Jashtme Ushtarake të Departamentit të Shtetit.

“Në veçanti, dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Shtetit Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit”, tha Osmani.

E para e shtetit tha se ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj kombit, të cilin ajo e quajti më “pro-amerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”.

Dje, Departamenti i Shtetit përmes një njoftimi për raketat “Javelin” tha se kjo shitje do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të ShBA-së duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian – Kosova, e cila sipas tyre, është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për të përmbushur kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhej në njoftimin e DASh-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat