Begaj: Të dënohen nxitësit dhe autorët e sulmit në Banjskë

Aktuale

Begaj: Të dënohen nxitësit dhe autorët e sulmit në Banjskë

Më: 10 janar 2024 Në ora: 20:59
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në pritje të përfaqësuesve të trupit diplomatik në vend, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka diskutuar mbi arritjet dhe sfidat e vitit të kaluar, duke adresuar çështjet e sigurisë në rajon dhe konfliktin aktual në Lindjen e Mesme.

Presidenti ka bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale.

Në fjalimin e tij, presidenti Begaj ka ndërlidhur ngjarjet e vitit të kaluar, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 dhe ngjarje të tjera në Kosovë.

Ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e autorëve të aktit terrorit.

“Edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj kërcënimit prej krizave reale. Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime”, ka thënë Begaj.

“Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Evropën”, tha mes tjerash presidenti shqiptar”, ka deklaruar tutje ai.

Presidenti shqiptar ka përmendur edhe konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit, duke shprehur shqetësimin për përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar nevojën për zgjidhjen e konfliktit dhe fillimin e bisedimeve për një zgjidhje me dy shtete në paqe dhe bashkëpunim.

Në fund të fjalimit, presidenti Begaj ka bërë një thirrje të fortë për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë bërë këtë.

Për ambasadorët e vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm”, ka thënë Begaj.

Gjithashtu, ai ka shprehur shpresën se presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, do të kushtojnë vëmendjen e duhur për Ballkanin Perëndimor dhe promovimin e frymës së bashkëpunimit dhe dialogut në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat