​Azemi ngre alarmin: Vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë

Aktuale

​Azemi ngre alarmin: Vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë

Më: 10 janar 2024 Në ora: 09:29
Jusuf Azemi

Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë. Vetëm në mars të këtij viti pritet të ikin mbi 25 mijë persona.

Kështu thotë, Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili akuzon qeverinë për kushte jo të favorshme për punëtorët. Në anën tjetër, edhe njohës të ekonomisë, vlerësojnë se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë më sfidues për bizneset në fuqinë punëtorë.

Kreu i kësaj sindikate, Azemi thotë për KosovaPress se nga informacionet që kanë marrë nga disa kompani të autobusëve, janë mbi 25 mijë persona që kanë kontraktuar se do të ikin jashtë vendit.

Azemi: Vetëm vitin 2024 do të na mungojnë rreth 150 mijë punëtor

Realisht edhe pa liberalizim të vizave pronarët e kompanive kanë telashe me punëtor, sidomos të kualifikuar që është një mungesë jashtëzakonisht e madhe. Megjithatë, mendojmë që sidomos gjashtëmujori i dytë i vitit 2024 do të jetë shumë më i rëndë sesa ky fillimi, sepse në pjesën e parë të vitit, njerëzit do shkojnë të kontaktojnë me familjarët, me pronar të kompanive atje dhe pastaj duhet të kthehen. Dashtë Zoti të dhënat tona mos të dalin të sakta, sepse ne mendojmë se vetëm vitin 2024 do të na mungojnë rreth 150 mijë punëtor, çka sipas një statistike ose disa të dhënave, vetëm një kompani autobusëve shumë e madhe në Kosovë, deri në mars thotë se ka mbi 25 mijë persona të kontraktuar se do të ikin jashtë. Megjithatë, jemi të bindur që jo të gjithë do qëndrojnë jashtë, sepse do të këtë një numër të vogël se do të kthehen prapa”, thotë ai.

Krahas pagave të ulta, Azemi rëndit edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në ikjen e të rinjve nga vendi.

Ndërkaq, vlerëson se tanimë është vonë të reagojë shteti në ndaljen e të rinjve nga vendi, sipas tije dhe po t’ua ofrojë pagë 1 mijë euro një punëtori që është paguar 300 euro, nuk do ja mbush mendjen të qëndroj këtu.

Azemi: Është vonë të reagojë qeveria, edhe nëse ua bënë rrogën 1 mijë euro

Nuk kemi asnjë siguri, së paku deri vonë s’kemi pas siguri se këta punëtor kanë paga reale solide, kanë kontrata pune, kanë pagesa e Trustit...Me gjendjen që e kemi njerëzit nuk shohin perspektivë dhe ata do të hulumtojnë sepse do krijojnë familje për vete...Shteti i ka lënë punëtorët me paga shumë më të vogla, sidomos tek ato kompani që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, ato janë mizërie...05:12 Nëse shteti merr vendim që paga minimale do të jetë 1 mijë euro, të jeni të bindur që nuk do ta ketë efektin e vet, sepse njerëzit e kanë humb besimin edhe tek qeveria, tek pronaret, duan në një formë të gjejnë jetën e tyre”, thekson ai.

Azemi thotë se përkundë kërkesave të shumta që i ka bërë kjo sindikatë ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe ministrit të financave, Hekuran Murati që të takohen për të diskutuar për kushtet e punëtorëve, të njëjtit nuk kanë pranuar as edhe një herë të flasin.

Sipas Azemit, është ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me të cilin ka pasur takime të suksesshme në përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

Azemi: Asnjë takim me kryeministrin, dhe asnjë takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati

Jemi takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të cilin kemi arritur rezultate. Kemi pasur paga 250 euro dhe tani tenderi që ka dalë këta punëtor, sidomos në spitale, paga e tyre do të jetë 405 euro, takimet kanë qenë të suksesshme...Ndërsa, asnjë takim me kryeministrin, dhe asnjë takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe janë mbi 25 kërkesa të protokolluara që të ulemi të bisedojmë për kushtet e punëtorëve”, përfundon Azemi.

Se ky vit do të jetë sfidues për bizneset për fuqi punëtore e thonë edhe njohës të ekonomisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se ankesa më e madhe e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me disponueshmerinë e fuqisë punëtore.

Zeka: Ankesë e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me disponueshmerinë e fuqisë punëtore

“Ajo çfarë më së shumti mund të themi se ka qenë ankesë e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me disponueshmerinë e fuqisë punëtore. D.m.th edhe në vitin 2023, por natyrisht një pjesë e këtyre shqetësimeve shkojnë përtej vitit 2023, edhe pashmangshëm me liberalizmin e vizave, rriten më tej, pra, si shqetësime nga droja se trendët e ikjes së popullsisë tashmë pas 1 janarit të vitit 2024 kur nuk do të ketë më regjim të vizave për shtetasit e Kosovës, mund të rriten më tej, gjithnjë duke i pasur parasysh trendët e ikjes së popullsisë përgjatë viteve të kaluara, edhe atëherë kur kemi pas realisht regjim të vizave”, thotë Zeka.

Edhe njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija, thotë se liberalizimi i vizave do të shkaktoi ‘kaos’ për vendin.

Avdija: Liberalizimi i vizave po i sjell kaos vendit, bizneset do vuajnë për punëtor

Po pritet që viti 2024 të fillojë me liberalizimin e vizave, kjo do të sjellë një lloj kaosi, po supozohet se do të jetë të paktën në gjashtëmujorin e parë një lloj kaosi në tregun e vendeve të punës. Është një shumicë e qytetarëve që nuk kanë pasur mundësi deri sot të udhëtojnë, të shëtisin, të vizitojnë vendet në zonën Shengen, qoftë për qëllime rekreative apo të punës dhe pritshmëritë që të ketë një lëvizje me liberalizimin e vizave janë shumë të larta”, thotë ai.

Më 1 janar 2024 iu dha fund regjimit të vizave dhe pritjes disavjeçare të qytetarëve të Kosovës, për të lëvizur lirshëm pa viza drejt vendeve në zonës Schengen

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat