Ky është biznesmeni nga Podujeva në kërkim policor, i ‘shpëtoi’ arrestimit gjatë aksionit të sotëm

Aktuale

Ky është biznesmeni nga Podujeva në kërkim policor, i ‘shpëtoi’ arrestimit gjatë aksionit të sotëm

Më: 9 janar 2024 Në ora: 23:59
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sot ka realizuar një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e 13 personave të dyshuar për veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’. Në kërkim policor është shpallur edhe një biznesmen nga Podujeva, i cili dyshohet se është përfshirë në këtë aferë.

Bëhet fjalë për biznesmenin llapjan, Bedri Batatina, i cili nuk është hasur nga Policia gjatë aksionit të sotëm.

Gazeta ka publikuar listën me emrat e 12 zyrtarëve të ATK-së, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, bashkë me biznesmenin prizrenas, Feim Pulaj.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.

“Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Gjatë aksionit në shtëpinë e Pulajt janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat