Në mesin e 12 zyrtarëve të ATK-së të arrestuar sot është edhe miku dhe ish këshilltari i Blerand Stavilecit, Vllaznim Krasniqi

Aktuale

Në mesin e 12 zyrtarëve të ATK-së të arrestuar sot është edhe miku dhe ish këshilltari i Blerand Stavilecit, Vllaznim Krasniqi

Më: 9 janar 2024 Në ora: 23:21
Blerand Stavileci, Vllaznim Krasniqi

13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’,

Përmes një komunikate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, është bërë e ditur se personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së ashtu që të dyshuarit F.P. (Feim Pulaj), pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më pare.

Merret vesh se në mesin e zyrtarëve të arrestuar të ATK-së është edhe Vllaznim Krasniqi.

Vllaznim Krasniqi, ka qenë këshilltari i ish ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe në vitin 2019 ishte në mesin e 20 inspektorëve të punësuar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vllaznim Krasniqi në atë konkurs ishte renditur i dhjeti me 81.5% të pikëve, duke dalë më i mirë se 502 kandidatë të tjerë që i ishin nënshtruar testit me shkrim në konkursin e ATK-së për inspektorë.

Krasniqi ka qenë këshilltari i Blerand Stavilecit, gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Në konkursin e vitit 2019 ishin punësuar në ATK edhe ish sekretari i PDK-së, në Mitrovicë, Murtez Zeqiri, kushëriri i ish zv/ministrit të Financave, Mustafa Grainca, motra e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Ilona Osmani- Mrasori si dhe ish-kandidat i AAK-së për Asamblenë Komunale të Drenasit, Veton Ademi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat