Frika nga liberalizimi i vizave, Kosova rrezikon të mbetet pa rini dhe fuqi punëtore

Aktuale

Frika nga liberalizimi i vizave, Kosova rrezikon të mbetet pa rini dhe fuqi punëtore

Më: 4 janar 2024 Në ora: 15:12
Ilustrim

Ikja e tyre në vende të ndryshme të botës, po parashikohet të ndodh tash kur vizat janë hequr. Frika është rritur se Kosova do të mbetet pa rini dhe fuqi punëtore

Qytetarët e Kosovës tashmë kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Ky proces solli edhe shqetësime për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave te migrimi i të rinjve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.

Banka Botërore ka treguar se sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.

Nëpër të njëjtën fazë kaluan edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër Schengen në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina një vit më vonë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se liberalizimi i vizave do ndikojë edhe në sektorin privat.

Sipas tij, pronarët e kompanive të ndryshme, gjashtëmujorin e parë të këtij viti e kanë një lloj testi si mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës para se të ketë mungesë të fuqisë punëtore.

Pas qershorit, Azemi i druhet një migrimi masiv të qytetarëve.

“Vetëm ata të cilët nuk e kanë pa gjendjen reale, e dinë që edhe këtë vit ka mungesë punëtorësh, unë pres që pjesën e dytë të këtij viti të kemi një shpejtim, një fluks më i madh i njerëzve që të ikin nga Kosova me kusht që të gjejnë një punë me kushte më të mira. Pronarët e kompanive e kanë si një lloj testi gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe së paku të ofrojnë kushte që i përmbush ligji i punës dhe marrëveshjen kolektive, por nëse vazhdojmë me këtë gjendje si është te punëtorët dhe sektori privat, është ngulit diçka që duhet me ik patjetër”.

Tutje, ai tha se gjendja e sektorit privat të Kosovës duhet rifreskuar e të jetë në një gjendje më të mirë, pasi mungesa e punëtorëve e ka bërë të veten, duke shtuar se pjesa më e mirë punëtorë është humbur.

Sipas tij, në Kosovë paga minimale duhet të jetë 500 euro.

“Ne bëjmë shumë takime me punëtorët e sektorit privat që të jenë stabil në Kosovë në vendin e punës, të kryejë shërbim si duhet, Mendoj që paga minimale të jetë 500, me pagesën e udhëtimit e heqjen e ushqimit dhe me këtë opsion mendoj se ndoshta do parandalohet kjo ikje masive, në të kundërtën edhe 600 e 700 e si mbulon këto dyja kjo është e kotë, ju e dini që deri më tani nuk është respektuar ligji e as marrëveshja mes pronarit e punëtorit, e kjo ka bërë që të jemi në një gjendje të tillë”, u shpreh ai.

Azemi përmendi gjithashtu një shifër për të cilën uroi të mos jetë e vërtetë, duke thënë se deri në 150 mijë punëtorë do jenë më pak se vitet e kaluara.

“E dimë që ka mungesa kudo nëpër botë, mirëpo në Kosovë nga një numër i vogël popullsie të ikë një numër aq i madh është shumë e rëndë, me çka fatkeqësisht shpresoj që kjo e dhënë e imja të mos jetë e vërtetë por unë frikësohem që këtë vit diku 100-140 mijë punëtorë do t’i kemi më pak se vitet e kaluara”.

Kurse, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, në një paraqitje për media ka treguar se në bazë të një hulumtimi nga Instituti “Riinvest” pritet që në vitin 2024, 150 mijë qytetarë të largohen nga Kosova.

“Dhe studimi i këtij institucioni (Riinvest) i ka vërtetuar të dhënat tona paralajmëruese të studimit. Kjo mesatarisht mund të jetë e përafërt e saktë, sepse nëse janë 360 deri në 380 mijë punëtorë, të cilët aktualisht janë kontributdhënës dhe fuqia punëtore po ashtu në Kosovë mund të jetë rreth 850 mijë punëtorë, pjesa tjetër dërmuese janë e papunë. Kjo del se ajo shifra rreth 150 mijë qytetarë të vendit seriozisht do ta rrezikojnë Kosovën dhe kjo është një zbrazje e Kosovës. Ata për fat të keq nuk janë vetëm punëtorë të papunë, por një numër i tyre janë punëtorë që janë në punë dhe kanë kontrata të punës”.

Shahini ka treguar se sipas një analize të AKB-së rreth 50 mijë punëtorë mund t’i kenë marrë kontratat e punës për në vendet e tjera .

“Do të thotë nëse brenda tri viteve kanë ikur 150 mijë me dokumente të rregullta pune, në vitin 2024 do të shkojnë plus edhe 150 mijë të tjerë si turistë. Gjermania nga dhjetori ka liberalizuar tregun ku çdo qytetar i Ballkanit Perëndimor, i cili shkon në Gjermani si turist nëse bie në kontakt me një punëdhënës ai mund të lidh kontratë për një kohë shumë të shkurtë”.

Edhe biznesmeni Ramiz Kelmendi ka ngritur alarmin se me liberalizimin e vizave nga ky muaj shumë qytetarë do të ikin nga vendi dhe pretendimet e tij janë që do të krijohet një vakum në shoqëri.

Kelmendi përmend dy çështje elementare që do të kenë impakt nga liberalizimi i vizave. Ai përmend se do të ketë ulje të prodhimit, duke filluar me bukën e përditshme për qytetarët.

Përveç kësaj pronari i Elkos Group, Ramiz Kelmendi thotë se nga ky muaj bizneset do të vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Nuk kisha pas qejf të shoh një numër kaq të madh të të rinjve që për interesa dhe për një jetë më të mirë ekonomike që është shumë e domosdoshme për ta, keq për t’i penguar që të shkojnë… Këtu do të krijohet një vakum i jashtëzakonshëm, do të mungojnë me qindra e mijëra bukë në ditë që nuk do të shiten, do të mungojnë qindra e mijëra kafe që nuk do të pihen dhe buxheti do të varfërohet, për shkak se shumicën e rasteve është konsumues dhe mungesa e tyre do të ndikojë jashtëzakonisht shumë. Por, kthimi tyre është i pamundur, ata më nuk do të kthehen, përveç se do të kemi raste sporadike por që nuk janë masovike”.

Kelmendi thotë se derisa s’ka rritje ekonomike, nuk mund të ketë as rritje të numrit të punëtorëve.

“Rritja shkon në kuadrin e zhvillimeve dhe rritjeve ekonomike, derisa s’ka rritje ekonomike, nuk ka as rritje të të punësuarve, derisa ne presim që një pjesë e madhe e qytetarëve do ta lëshojnë vendin, ekziston frika si me mbajt gjendjen ekzistuese me numër të qytetarëve më të vogël”.

Ndërkohë kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, në një deklarim për media ka theksuar se gjatë takimeve me pronarë të bizneseve është ngritur si shqetësim paralajmërimi i ikjes së punëtoreve.

Por, siç ka thënë ai, brenga të njëjta ka pasur edhe para se të merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se dy sektorë vuajnë më shumë se të gjithë nga mungesa e punëtorëve.

“Më e theksuar është te sektori i ndërtimtarisë edhe ai i gastronomisë. Këta janë dy sektorët ku më së shumti vërehet mungesa e fuqisë punëtore gjatë viteve të fundit, por edhe tani tendenca që është duke lëvizur, dihet se këtu dominon fuqia që është më pak e kualifikuar dhe ata kanë tendencë që për një pagë më të mirë të lëvizin prej Kosovës”.

Edhe ai ka potencuar nevojën që Qeveria të krijojë strategji të ndryshme që stimulojnë sidomos gjeneratat e reja, në mënyrë që të shohin “të ardhmen brenda Kosovës”

Një raport i publikuar nga instituti “Riinvest” lidhur me sfidat aktuale dhe të ardhshme për tregun e punës, shpërfaq të dhëna shqetësuese lidhur me ikjen e punëtorëve.

“Diku rreth 18% e punëtorëve në sektorin privat veç i kanë paralajmëruar punëdhënësit e tyre që do të lënë punën dhe do të provojnë të migrojnë. Pra, po flasim për një shifër alarmante që me përkthy në terma absolut nën supozimin që i kemi diku rreth 300 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat në Kosovë, i bie që rreth 55 mijë të punësuar ta lënë Kosovën”.

Ai ka shtuar, se gjatë vitit të kaluar në një anketë, mbi një e treta e të rinjve të moshës 16 deri në 25 vjet planifikojnë që në tre vjetët e ardhshëm të migrojnë.

Nga janari i 2024-s qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në të gjitha shtetet e zonës Schengen, pos në Spanjë.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ma datën 1 janar deklaroi se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.

Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret, “sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë”.

“Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi. Prandaj, kjo është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Schengen”.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “arritje historike” hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat