​Simbolet shtetërore të Kosovës nuk mbulohen më në targa gjatë hyrjes në Serbi

Aktuale

​Simbolet shtetërore të Kosovës nuk mbulohen më në targa gjatë hyrjes në Serbi

Më: 1 janar 2024 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të lëvizin në territorin e Serbisë, pa i mbuluar simbolet shtetërore me ngjitëse tek targat zyrtare të vendit tonë.

Në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare, automjetet me targa të Kosovës kaluan në territorin serb me simbolet shtetërore të Kosovës, pas vendimit që mori ditë më parë Qeveria e Serbisë, që të lejohet një gjë e tillë.

Këtë lajm e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave.

“Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, ka shkruar ai në X.

Qytetarët që kaluar në këtë pikë kufitare, janë shprehur të kënaqur, duke thënë se iu ka lehtësuar puna.

Një qytetarë i cili kthehej në Kosovë, tha se është më e lehtë pa vendosjen e tyre, sepse nëse të ka ra apo humbur, të kanë dënuar.

Qytetari: Të kanë dënuar nëse t’u kanë hequr ngjitëset

“Një vizitë e kemi pasur...më lehtë, ka ndodh me të dënuar nëse t’u ka hequr”, tha ai.

Ismail Shabanaj tha për KosovaPress, se është një vendim pozitiv.

Shabanaj: Shumë e mirë, pozitive

“Jo hiç , shumë e mirë, pozitive .. këta të Serbisë. shteti i ka fajet,” shtoi Shabanaj.

Qytetari tjetër, Binak Gashi tha se nuk kanë pritur në kufi, dhe të gjithë ishin me targat RKS.

Gashi: Të gjitha targat ishin me RKS

“Hiç asnjë minutë, mirë i patën të gjithë me RKS….Për ta nuk di çka me thanë”, vijoi Gashi.

Ndërsa, Vladimiri një qytetarë serb, tha se ky është vetëm një dokument, nuk duhet të nevojitet për Serbinë apo për targat RKS.

Vladimir: Të kemi shoqëri, paqe dhe jo probleme në mes Kosovës dhe Serbisë

“Është vetëm një dokument, nuk duhet të nevojitet për Serbinë dhe targat RKS. Duhet të kemi shoqëri, paqe dhe jo probleme mes Kosovës dhe Serbisë,” theksoi ai.

Gjithashtu, Fidan Hoti tha se ka pritur pesë orë në kufi, ndërsa heqjen e ngjitësve e komentoi si procedurë më të lehtë.

Hoti: Shumë më lehtë

“Deri 5 orë, shumë mirë kemi kaluar…Mirë shumë, më lehtë.. Serbinë e dimë, nuk presim më mirë prej tyre,” tha Hoti.

Ndërkaq, Bedri Sahiti tha se ka pritur katër orë në Kroaci. Ai shtoi se heqja e vizave ka qenë një punë e mirë.

Sahiti: Liberalizimi, lajm i mirë për Kosovën

“Kemi prit në Kroaci 4 orë, mirë kemi kaluar.. Liberalizimi për Kosovën ka qenë shumë mirë, punë e mirë veç le të vazhdojnë.. Shumë mendim i mirë, ide e mirë, shpresoj sa më shpejtë të vini,” deklaroi Sahiti.

Po ashtu, Egzon Neziraj u shpreh për KosovaPress, se tash munden të shkojnë te familjarët që nuk kanë pasur mundësi. Ai komentoi edhe vendimin e reciprocitetit të Qeverisë së Kosovës për targat, i cili ende është në fuqi dhe serbët në automjete, duhet t’i vendosin ngjitëset në momentin që hynë në territorin e Kosovës, duke thënë se Qeveria fare mos ta heq atë vendim.

Neziraj: Qeveria jonë mos t’ia heq fare ngjitëset serbëve

“ Jo s’kemi pritur shumë, dy orë, ka qenë shumë mirë. Tash munden me ardhë edhe këta që nuk kanë pasur mundësi…Lutem që mos t’ia heqin kurrë, shënosh ne,” u shpreh Neziraj.

Në këtë pikë kalimi, sot ka pasur edhe kolona me automjete në dalje të Kosovës, që ishin kryesisht nga bashkatdhetarët tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat