Programi kombëtar për FSK-në, vlerësohet më shumë dëshirë sesa mundësi

Aktuale

Programi kombëtar për FSK-në, vlerësohet më shumë dëshirë sesa mundësi

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 06:38
FSK

Komandantja supreme e ushtrisë ka paralajmëruar me një plan kombëtar të qartë zotimesh për mirëqenien e ushtarakëve.

Në 7 shtylla i ka ndarë ato që i sheh të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së pjesëtarëve të FSK-së.

Pagesat e shtesave në paga për rrezikshmëri, pagesat e punës me ndërrime të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre, si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.

Këto janë disa nga veprimet e synuara që presidentja Osmani i ka përmendur të premten.

Këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, e vlerëson si paralajmërim të presidentes që ta marrë seriozisht institucionin ushtarak.

Edhe pse realizimin e tyre e sheh të largët, Shala thotë se deri në 2025-tën duhet të zbatohen gjysma e synimeve.

E, gati krejt të pamundur me buxhetin aktual zbatimin e këtij programi e vlerëson ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, që nuk lë pa përmendur se sigurimi shëndetësor si zotim për FSK-në nuk bën të kalojë pa u realizuar njëkohësisht edhe për Policinë.

Pikat tjera të planit të paralajmëruar nga presidentja kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat