Bytyqi-Rrahmani: Nëse mbyllet Handikos-i, fëmijët do të mbesin të mbyllur, pa shërbime

Aktuale

Bytyqi-Rrahmani: Nëse mbyllet Handikos-i, fëmijët do të mbesin të mbyllur, pa shërbime

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 23:57
Mimoza Bytyqi-Rrahmani

Mimoza Bytyqi-Rrahmani, nënë e një djali me aftësi të kufizuara dhe anëtare e Grupit Avokues të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Handikos, nuk punon anipse është e përgatitur profesionalisht.

Bytyqi-Rrahmani e ka sakrifikuar karrierën profesionale për t’u kujdesur për djalin saj me aftësi të kufizuara.

Në një rrëfim për emisionin “Info-Nata” ajo thotë se prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk mund të punojnë sikur prindërit e fëmijëve tjerë.

Andaj, Bytyqi-Rrahmani ka shtuar se nëse institucionet përgjegjëse nuk gjejnë ndonjë mënyrë të financimit për Qendrën që ofron shërbime të ndryshme sociale për personat me nevoja të veçanta, Handikos, familjet e tyre do të kenë vështirësi të mëdha.

Handakos rrezikon të mbyllet më 15 janar për shkak të mungesës së projekteve mbi bazën e të cilave ky institucion u ka siguruar shërbime të ndryshme sociale pa pagesë personave me aftësi të kufizuara për afër 4 dekada.

“Vështirësitë janë të mëdha, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk mund të punojnë sikur edhe prindërit e fëmijëve tjerë, pa marrë parasysh përgatitjet e tyre që mund të jenë edhe akademike, njëri prind duhet të qëndroj në shtëpi dhe tjetri të punoj ose ka raste edhe kur jetojnë me një pension të fëmijës. Këto janë ato që i dëgjoj për ditë nga nënat, vështirësitë e tyre që me zor ia dalin. Paramendo tani si mund të ia dalin të ndajnë një kosto edhe për të dërguar fëmijën në terapi. Unë personalisht nuk punoj, edhe pse jam e përgatitur akadmeikisht por kam vendosur të qëndroj me djalin sepse shteti nuk ma ofron një qendër ditore ku unë mund ta lë djalin dhe të punoj kështu që kjo është në zgjedhje e detyruar në njëfarë forme që përafërsisht e kanë të gjithë prindërit që duhet të qëndrojnë me fëmijët e tyre”, u shpreh Bytyqi-Rrahmani.

Por, nëse mbyllet Handikos, Bytyqi-Rrahmani thotë se shumë fëmijë dhe prindër do të mbesin pa shërbime dhe të mbyllur në shtëpi në mungesë të kushteve për trajtim nëpër qendra tjera.

“Normalisht që ka qenë shumë shqetësuese dhe ajo që ne e marrim këto ditë dhe çdo ditë janë ankesat e prindërve të cilët në mungesë të shërbimeve, fëmijët mbesin të mbyllur në shtëpi, gjendja financiare ekonomike vështirësohet në këto familje për arsye së këta fëmijë kanë nevojë për këto shërbime. Në mungesë të tyre në këtë rast në Handikos ku i kanë marrë pas asnjë kosto, tanimë ato duhet t’i marrin diku tjetër dhe të paguajnë një shumë të caktuar. Kjo i rëndon familjet, i rëndon edhe vet fëmijët të cilët për shumë vite kanë qenë pjesë e këtyre shërbimeve”, tha Bytyqi-Rrahmani.

Ajo u shpreh se ka shumë vite që fëmijët por edhe të rriturit në Handikos kanë marrë shërbime të fizioterapisë, psikosociale, psikologjisë, ergoterapisë, logopedisë e të tjera.
Bytyqi-Rrahmani ka thënë se Handikos për ta tashmë është një shtëpi e dytë ku ndihen të lirë dhe pa paragjykime.

“Handakos-i nuk do të ofroj më shërbime, do të funksionoj vetëm avokimi, nuk do të ketë më shërbime dhe për neve do të jetë shumë e vështirë sepse HAANDIKOSI ka qenë shtëpia jonë e dytë, ku kemi shkuar kemi marrë shërbime, nuk jemi diskriminuar, kemi qenë shumë rehat dhe për neve do të jetë shumë e vështirë do t’i rëndoj mjaft shumë familjet që kanë persona me aftësi të kufizuar qoftë fëmijë, qoftë persona të rritur sepse edhe personat e rritur kanë marrë shërbime, qoftë trajnime qoftë për t’i mbështetur që të jenë gjithëpërfshirës në shoqëri”, u shpreh ajo.

Ndërsa, e pyetur për përgjigjet që i kanë marrë nga institucionet përgjegjëse si Komuna e Prishtinës dhe institucione qendrore, Bytyqi-Rrahmani tha se përgjigja e tyre është se nuk kanë mjete financiare.

“Kemi shprehur vazhdimisht nevojën, shqetësimin tonë rreth domosdoshmërisë së shërbimeve, kemi marrë përgjigje se do të përkrahemi por është mungesë e buxhetit e cila është shprehur se dëshirojnë të na ndihmojnë por kanë buxhet të limituar, nuk e kemi vërejtur që kanë bërë ndonjë përpjekje për të gjetur linja buxhetore tjera që do të na mbështesin edhe neve edhe organizatën që këto shpenzime të jenë të vazhdueshme, të shtetëzuara dhe pa kosto”, u shpreh Bytyqi-Rrahmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat