Gjykata Kushtetuese “i jep dritën e gjelbër” Vettingut, MD tregon hapat tutje

Aktuale

Gjykata Kushtetuese “i jep dritën e gjelbër” Vettingut, MD tregon hapat tutje

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 18:23
Genc Nimoni

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e dorëzuar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur ma amendamentet për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni, e mirëpriti këtë vendim, duke thënë se i dha dritë të gjelbër Vettingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Gjykata Kushtetuese na jep dritë të gjelbër të ecim tutje. Por ende më e rëndësishme, është që garanton në baza të shëndosha që të kemi zgjerim të bazave kushtetuese sa i përket mundësisë për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve tutje, në kuptim ku kanë bërë shkelje të rënda të detyrës. Hapi tjetër, është që ne do ta presim aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, pastaj me gjasë do të kemi një mbledhje të komisionit dhe sipas procedurës, Komisioni për Legjislacion duhet të procedojë tutje”, deklaroi Nimoni.

Derisa shpjegoi procedimin tutje të Vettingut në drejtësi, Nimoni tha se Ministria e Drejtësisë pretendon që kjo çështje do të kompletohet për një periudhë 2-3 vjeçare.

“Do të procedojmë tutje në finalizim të këtij projektligji, pastaj procedimit të amendamenteve kushtetuese dhe projektligjit, për votim në Kuvendin e Kosovës, kështu duke i hapur rrugë themelimit të autoritetit, por edhe zhvillimit të procedurave, që parashihet autoriteti ta ketë në periudhë 2-vjeçare, plus 1 vit në mundësi vazhdimi. Andaj, ne planifikojmë që këto të bëhen nga themelimi i autoritetit, e të zhvillohen për një procedurë me afat 2-vjeçar. Mendojmë që për një periudhe 2-3 vjeçare do të kompletohet e gjithë kjo, e që konsideroj që është një nga reformat kyçe të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës”, potencoi tutje Nimoni.

I pyetur se a do të nisë më 2024 ndonjë trajtim i rastit nga Vettingu, Nimoni u shpreh optimist që ky proces do të fillojë gjatë vitit 2024.

“Nëse do të varej nga përfundimi i obligimeve të Ministrisë së Drejtësisë, kjo do të fillonte më 2023. Por, unë besoj që do të fillojë ky proces, do të themelohet gjatë 2024-ës”, tha Nimoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat