Bashkatdhëtarët thonë se i lanë të presin në të ftohtë e pastaj udhëtuan në këmbë, reagon kompania e udhëtimeve

Aktuale

Bashkatdhëtarët thonë se i lanë të presin në të ftohtë e pastaj udhëtuan në këmbë, reagon kompania e udhëtimeve

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Për disa bashkatdhetarë, udhëtimi nga Shtutgarti për në Prishtinë ka zgjatur më shumë se 30 orë.

Tani që kanë afruar festat e fundvitit dhe shumica e mërgatës ia ka mësyer Kosovës, dhjetëra kanë zgjedhur të udhëtojnë me autobusë.

Por, disa bashkatdhetarë kanë raportuar në Indeksonline se udhëtimi i djeshëm më njërën nga kompanitë e udhëtimit ka qenë aspak i kënaqshëm.

Ata thonë se përveç se disa herë iu është ndërruar pika kufitare si destinacion për të hyrë në Kosovë, janë lënë në afërsi të Kryshevacit të Serbisë për të pritur të tjerë autobusë.

“Pas 24 orë udhëtimi me disa herë ndryshim destinacioni, herë te Dheu i Bardhë e herë në Merdare, na prunën afër qytetit Kryshevac në Serbi e na zhdrypen dhe na lanë me pritë një orë. Na thanë se vijnë dy autobusë me na marrë nga Kosova. Kishte familje me fëmijë të vegjël, tu kajtë. Ashtu kemi pritë, një orë e në të ftohtë”, ka thënë një udhëtar për Indeksonline.

Ai shton se autobusët që kanë shkuar t’i marrin kanë qenë me të vegjël, duke bërë që të mos i zënë ulëset të gjithë udhëtarët dhe shumë prej tyre të mbesin në këmbë për pjesën tjetër të rrugës.

“Kur erdhën autobusët, ishin pas më të vegjël. Disa familje mbeten në këmbë, pa pasë vend ku të ulën. Pas ndryshimeve për destinacionin përfundimtar na thanë që “me rëndësi është që po shkojmë në Kosovë”” shtoi ai.

Media ka kontaktuar kompaninë në fjalë, “Fidani Tours”, e cila ka mohuar të ketë bërë një gjë të tillë.

“Jo, unë po të them se jo. Thashetheme kushdo mundet me bë prej qejfit dhe dëshirës së vet. Gojët e njerëzve s’mundemi me i ndalë, ma shumë s’di çka të them. Kjo gjë nuk është hiç e vërtetë”, kanë thënë nga kjo kompani.

Më poshtë ju sjellim pamjet e dërguara në adresën e Indeksonline, lidhur me këtë çështje:

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat