​Kurti: Mbështetja për studentët do të rritet çdo vit

Aktuale

​Kurti: Mbështetja për studentët do të rritet çdo vit

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 12:23
Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti ka mbështetur financiarisht studentët me 3 milionë euro në pesë skema të ndryshme të bursave, në të gjitha nivelet dhe se kjo mbështetje do të rritet çdo vit sepse kanë vërejtur se efektet e kësaj mbështetje po kthehen në rezultate të suksesshme.

Kurti në Olimpiadën Matematike të Kosovës, në të cilën po marrin pjesë rreth 500 nxënës që janë përzgjedhur si më të suksesshëm nga të gjitha komunat e Kosovës, tha se matematika nuk është vetëm një lëndë mësimore por është një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, kulturat dhe identitetet.

Ai tha nga gara e sotme është i bindur që do të dalin fitues që do të na përfaqësojnë vendin në garat me bashkëmoshatarët e vendeve të botës dhe do të sjellin shumë medalje.

Sipas tij, në vitin 2023, si Qeveri kanë ndarë 1882 bursa për vajzat që studiojnë në fushën shkencë, teknologji dhe matematikë.

Kurti: Mbështetja për studentët do të rritet çdo vit

“Sivjet studentët i kemi mbështet financiarisht me 3 milionë euro në pesë skema të ndryshme të bursave në të gjitha nivelet. Kjo mbështetje do të rritet çdo vit sepse e kemi vërejtur se efektet e kësaj mbështetje po kthehen në rezultate të suksesshme. Aktualisht në Kosovë, gjysma e studentëve në STEN janë vajza, ndërkohë që mesatarja në BE është 17 për qind. Kjo tregon çfarë kthimi i madh në investim është bursa për vajzat studente në STEN. Krahas mbështetjes së drejtpërdrejt të njësimit të cilësisë dhe infrastrukturës në arsim, po angazhohemi që nxënësit dhe studentët e të gjitha niveleve t’i kenë kushtet optimale dhe të barabarta që të mund të mësojnë dhe ta shfaqin talentin e tyre. Matematika është mjet i jashtëzakonshëm që shërben si mjet për të zgjidhur sfidat dhe problemet në rrugën e përditshme, pavarësisht drejtimit që merr secili nga ne”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Valdete Rexhëbeqaj-Hamiti, tha se sot do të garojnë më të mirët nga të gjitha komunat e Kosovës.

Ajo shtoi se pas një angazhimi të vazhdueshëm, Kosova ka fituar të drejtën për të organizuar Olimpiadën e 14 matematike për vajza “European Girl’s Mathematical Olympiad”, që do të mbahet në vitin 2025.

Rexhëbeqaj-Hamiti theksoi se fitimi i së drejtës se organizimit të kësaj gare për vitin 2025, është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitete profesionale dhe organizative për të qenë udhëheqëse e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare.

Rexhëbeqaj-Hamiti: Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14 matematike për vajza

“Sot do të garojnë më të mirët nga të gjitha komunat e Kosovës…Nga kjo olimpiadë e sotme do të bëhet përzgjedhje e ekipit prej gjashtë nxënësve që do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 65 matematike ndërkombëtare IMO 2024, e cila do të mbahet këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar. Nga kjo olimpiadë do të bëhet përzgjedhja e ekipit prej katër vajzave që do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 13 evropiane matematike për vajzat ELMO 2024, e cila këtë vit do të mbahet në Gjeorgji…Shoqata e Matematikantëve të Kosovës pas një pune të gjatë dhe pas një angazhimi shume të madh tashmë e ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14 matematike për vajza EGMO. Kjo është gara evropiane me prestigjioze për matematike dhe pikërisht në vitin 2025, do të mbahet në Kosovë. Fitimi i së drejtës se organizimit të kësaj gare për vitin 2025, është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitete profesionale organizative për të qenë udhëheqëse e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare. Organizimi i një gare të tillë është një mundësi e mirë për të promovuar vendin tonë si një vend me vlera evropiane, ku vlerësohet dhe mbështetë të rinjtë e talentuar”, potencoi Rexhëbeqaj-Hamiti.

Ndërsa, rektori në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi theksoi se Olimpiada Matematike e Kosovës është një garë prestigjioze e nxënësve para-universitar në vend nga fusha e matematikës.

Ai shtoi se në mesin e më shumë se 100 vendeve, Kosova është pjesëmarrëse në këtë olimpiadë që prej vitit 2011, për çka shtoi se që nga atëherë skuadra e Kosovës ka fituar dy medalje olimpike.

Qerimi: Olimpiada Matematike është gara finale dhe më prestigjioze e nxënësve

“Olimpiada Matematike e Kosovës aktualisht është gara finale, pa asnjë diskutim prestigjioze e nxënësve para universitare në vend nga fusha e matematikes. Përveç aspektit garues, pjesëmarrësve që janë nxënës të shkollave të mesme dhe aspektit arsimor, olimpiada ka funksion përzgjedhës për skuadrat e Kosovës, pjesëmarrëse në disa gara ndërkombëtare të rëndësishme nga te cilat është Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikë...Në mesin e më tepër se 100 vendeve, Kosova është pjesëmarrëse ne këtë olimpiadë që prej vitit 2011. Që atëherë skuadra e Kosovës ka fituar dy medalje olimpike”, theksoi Qerimi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se do të vazhdon mbështetja për nxënësit dhe studentët që do ta përfaqësojnë Kosovën në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Përndryshe, për herë të 16-të me radhë po mbahet Olimpiada Matematike e Kosovës, ku për herë të parë po marrin pjesë edhe nxënësit e klasave të 7-ta dhe të 8-ta.

Nga Olimpiada Matematike e Kosovës, e cila organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, me mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të përzgjedhet ekipi prej 6 nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 65-të Matematike Ndërkombëtare - IMO 2024, e cila do të mbahet në Bath, në Mbretërinë e Bashkuar prej datës 11. 07. 2024, deri më datën 24. 07. 2024, ku Kosova merr pjesë për herë të katërmbëdhjetë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.

Nga kjo olimpiadë, përzgjedhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 13-të Evropiane të Matematikës për Vajza - EGMO 2024, e cila do të mbahet në qytetin Tskaltubo, në Gjeorgji, prej datës 11.04.2024 deri më datën 19.04.2024.

Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës do të përzgjedhen nxënësit nga klasat VII, VIII dhe IX që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 5-të Matematike Kosovë - Shqipëri, e cila do të mbahet në muajin korrik në vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat