“Mund ta shkruaj një draft në konsultim me ministrat e mi”, Nenad Rashiq flet për deklaratën e Kurtit

Aktuale

“Mund ta shkruaj një draft në konsultim me ministrat e mi”, Nenad Rashiq flet për deklaratën e Kurtit

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 08:55
Nenad Rashiq

Kryeministri Albin Kurti ka ofruar dje mundësinë që ta shkruajë një draft-statut për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë ka thënë se mund ta bëjë vitin e ardhshëm, në konsultim me dy ministrat e tij, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

Deklarata e Kurtit erdhi si kundërpërgjigje ndaj Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili në një intervistë për median tha se draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët nuk ka nevojë të nënshkruhet, meqë “është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës”.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkroi Kurti.

Lidhur me deklaratën e Kurtit, ka folur Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Rashiq citohet të ketë thënë se është në dispozicion të kryeministrit nëse, në çfarëdo mënyre, është e nevojshme ndihma e tij për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Në postimin e tij, Kurti propozoi edhe datat kur mund të nënshkruhet Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, kjo mund të bëhet në muajin mars, kur mbahet Samiti i Këshillit Evropian.

“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”, shkroi Kurti.

Ndryshe,Lajçak ka deklaruar se nuk është e nevojshme që Serbia ta nënshkruajë Statutin.

“Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, ka deklaruar Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat