“Ishte planifikuar sulm tjetër për ta marrë villën e Radoiçiqit”/ Kurti dhe Sveçla me detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë

Aktuale

“Ishte planifikuar sulm tjetër për ta marrë villën e Radoiçiqit”/ Kurti dhe Sveçla me detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 15:17 më 23.12.2023
Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla gjatë konferencës për media

​Hetimet për sulmin në Banjskë, Kurti: Unë jam për të ndihmuar prokurorinë, ata janë për të punuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se në bisedimet e Brukselit me ndërmjetësimin e BE-së vazhdimisht është thënë se për draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media, shefi i ekzekutivit foli rreth trysnisë ndërkombëtare për themelimin e asociacionit dhe rreth deklarimeve të emisarit Miroslav Lajçak se draft-statuti i asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.

Kurti: Në bisedimet është thënë që për draft statut të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi

“Në bisedimet e Brukselit vazhdimisht është thënë që për një draft statut duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimisht është sjellë në proces të bisedimeve në tryezën e dialogut. Unë kam qenë shumë konstruktiv, kreativ e i përkushtuar, bile e mbani mend se si më 2 maj kam dëgjuar me durim ish- deputeten e SNS-së Daniela Vuçiq, udhëheqëse e të ashtuquajturit ekip menaxhues duke elaboruar se si duhet të duket “Republika Serbe” në Kosovë. Gjysmë ore e kam dëgjuar në Bruksel në atë kohe. Ka pasur shumë trysni mbi qeverinë tonë dhe në javët e muajt në vijim që edhe ne ta propozojmë një draft…Ndërkohë që drafti i saj kishte zhvlerësuar në mënyrë të plotë politikisht dhe aspak legalisht siç do të duhej nga ndërmjetësit, prandaj ne kemi konsideruar se nuk është koha për këtë gjë... Nëse draft statuti i asociacionit prej ndërmjetësit thuhet që është një çështje e brendshme i Kosovës, ky është një regjistër tjetër i gjërave”, tha Kurti.

Për sa i përket hetimeve mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit, kryeministri Kurti tha se informacionet i janë dhënë edhe Prokurorisë së Shtetit dhe i takon kësaj të fundit të merret me të, pasi ka dëshmi prova dhe materiale të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj personave që morën pjesë në Banjska.

Kurti: Unë jam për të ndihmuar prokurorinë, ata për të punuar

Informacion të Republikës së Kosovës, të shtetit lidhur me sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë, nuk ka që nuk i është dhënë Prokurorisë së Shtetit. Sot janë bërë tre muaj prej se është kumtuar urdhrin për sulmin terrorist e cila e vrau rreshterin policor, heroin Afrim Bunjakun, një ditë më pas, pra më 24 shtator. Sot, janë bërë tre muaj prej kur është kumtuar urdhri dhe ky informacion ndodhet tashmë edhe te prokuroria. Ka parë numër faktesh, dëshmi materiale, të cilët janë të mjaftueshme që të ngrihen aktakuza për sulmin në Banjskë të Zveçanit… Ky hendek nuk mund të përmbushet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i takon Prokurorisë së Shtetit, prandaj pyetja duhet të jetë për ta. Unë jam këtu për të ndihmuar, mirëpo ata janë aty për të punuar”, tha Kurti.

Përveç këtyre, Kurti tregoi edhe për punën që po bëhet në sigurimin e kufijve me qëllim të parandalimit të sulmeve të mundshme në të ardhmen, duke thënë se patrullimi i përbashkët me KFOR-in i ka zmbrapsur planet serbe për sulme.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për targat në veri të vendit, për çka tha se në Kosovë nuk ka më qarkullim të automjeteve me targa ilegale. Ai ka folur edhe për sekuestrimin e alarmeve ilegale në veri dhe çfarëdo pajisje tjetër që ka për synim aktivitete ilegale.

Sveçla: Largimi i alarmeve ilegale do të bëhet në gjithë territorin e Kosovës

“Tashmë është fakt që targa ilegale në RK nuk ka në qarkullim…Ju keni parë incizimet e largimit të alarmeve ilegale. I njëjti do të ndodhë kudo brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku hasim në pajisje që shërbejnë për mobilizim apo aktivizim lidhur me aktivitete ilegale”, tha Sveçla. 

Të përgatitur për çfarëdo sulmi, Kurti: AKI është e paparë, shumë e suksesshme dhe kemi bashkëpunimin me aleatët

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhenë detaje të sulmit terrorist të 24 shtatorit, gjersa kanë thënë po ashtu se po përgatiten sulme të reja.

Kurti duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se çfarë po ndërmerr shteti pas këtyre paralajmërimeve për sulme të reja tha se patrullimi i përbashkët me KFOR-in duket se i ka zmbraps planet.

“Kufiri me Serbinë është më i gjati 381 km, është më i gjatë sesa kufiri marr së bashku Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë…

Ajo çfarë po bëjmë ne dhe që duket se i kanë zmbrapsur planet për sulm është patrullimi i përbashkët me KFOR-in dhe kjo tashmë po ndodh… policët tanë së bashku NATO po patrullojnë përgjatë kufirit”, tha ai.

Kreu i Qeverisë së Kosovës lavdëroi punën e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

“Në anën tjetër kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës. Është e paparë puna e AKI-së, në kuptimin e dyfishtë të fjalës edhe për shkak se është paparë se është çështje sekrete dhe për shkak se kësi rezultatesh janë të papara në historinë e kësaj agjencie për çka i falënderoj…

Kur kësaj i shtohet bashkëpunimi me aleatët ne jemi tejet të përgatitur ndaj çfarëdo sulmesh që mund t’i mendoj dikush që t’i zmbrapsim suksesshëm”, tha ai. 

Tre muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, Kurti shpreh shqetësimin se pse prokuroria nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë

Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti është shprehur i shqetësuar se pse prokuroria nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti para mediave tha se tre muaj pas sulmit terrorist, prokuroria ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

“Ka panumër fakte, dëshmi, pra të mjaftushme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe akatakuza në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, theksoi kryeministri.

Kryeministri në një konferencë për media ka dhënë detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Kryeministri po ashtu ka paralajmëruar se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj vendit tonë.

Sveçla thotë që veriu është sulmuar 114 herë që nga viti 2021

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi që sipas të dhënave të Policisë, që nga viti 2021 e deri më tani, institucionet dhe zyrtarët e Kosovës, janë sulmuar 114 herë në veri të vendit.

Derisa përmendi edhe njëherë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Sveçla tha se tanimë ka fakte të mjaftueshme që Serbia ishte organizatore e këtij sulmi.

“Qëllimi i sulmit të terroristëve dhe qëllimi i Serbisë, ishte që të aneksohet veriu i vendit. Si institucione, kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë organizimin e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2021 deri sot, institucionet dhe zyrtarët e Kosovës, janë sulmuar 114 herë në veri”, potencoi Sveçla gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Kurti: Një arsenal armësh po fshihet në një hotel në Novi Pazar, 25 km distancë nga pika kufitare Jarinjë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ngritur alarmin se Serbia po planfikon sulme të  reja ndaj Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media, Kurti tha se dyshohet se arsenal armatimi po fshihet në një hotel në Novi Pazar.

“Një  arsenal armësh po duket që po fshihet në një hotel në Novi Pazar, rreth 25 kiliometra distancë  nga pika kufitare në  Jarinjë. Aty ka të fshehur armatim të ngjashëm që është  përdorur në sulmin terrorist në Banjskë. Tashmë është  e qartë  se asnjë  sulm nuk mund të ndodhë pa dijeninë  e udheheqësve të  Serbisë”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri deklaroi se Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës dhe se po mban takime sekrete në BIA.

“Pjesëtarë terroristë  po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëton ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”

Sveçla jep detaje të sulmit terrorist më 24 shtator, publikon fotografi nga pozicionet, veturat e terroristëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje lidhur me sulmin terrorist të një grupi të serbëve më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka treguar edhe për rrugën që është përdorur nga grupi terrorist.

Ministri i Punëve të Brendshme përmes disa fotografive ka treguar edhe vendin ku është plagosur polici Afrim Bunjaku, i cili më pas ka ndërruar jetë.

Ministri Sveçla tha se grupi terrorist me anë të një droni kishin monitoruar Policinë e Kosovës.

Kurti: U planifikua sulm hakmarrës ndaj Policisë në nëntor, u shtye shkaku i zgjedhjeve në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në këtë konferencë Kurti shpalosi detaje rreth gjendjes së sigurisë në vend, ku bëri të ditur njohurit e tyre rreth planeve të Serbisë për sulme të reja në Kosovë.

Siç njoftoi i pari i ekzekutivit, gjatë muajit nëntor të këtij vitit u planifikua që pas sulmit të Banjskës të kryhet një sulm tjetër në komunën e Zubin Potokut.

Ky sulm kishte për qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit, e cila pas sulmit në Banjskë është nën kontrollin e Policisë së Kosovës.

“Gjatë muajit nëntor të vitit 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm të drejtim të komunës së Zubin Potokut ne qëllim marrjen e viles së Radoiçiqit në brigjet e Liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”.

“Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës kemi marr vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë se Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit të Serbisë, dhe masave të tjera të marra nga ne”, tha Kurti.

Kurti: Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, po paguan nga dy mijë euro pjesëtarë terroristë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka dhënë detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti ka thënë se një muaj para sulmit terrorist, i gjithë arsenali i armatimit ka qenë i vendosur në një kompani, që ishte vizituar më parë edhe nga presidenti serb.

“Arsenali që u përdorë në Banjskë, ka qenë  i vendosur në një kompani e cila është në listën e sankisonuar të SHBA. Pronë e Milan Radoiçiq,  dhe tani është drejtor një ish-kolonel i pensionuar serb, i cili ka marrë pjesë në luftërat në Bosnjë. Këtë kompani e kishte vizituar presidenti serb, Aleksandar Vuciq”, tha ai.

Kryeministri tha se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

” Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA.  Paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij”.

Kurti e Sveçla sot në konferencë të përbashkët, nuk tregohet arsyeja

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot një konferencë të përbashkët për media.

Njoftimin e ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, derisa arsyeja e kësaj konference s’është bërë e ditur.

Konferenca do të mbahet në orën 12:00, në ndërtesën e Qeverisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë ditën e nesërme një konferencë për media, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat