Vokrri: Disa qytetarë serbë nga Leposaviqi janë maltretuar e sulmuar fizikisht nga shërbimi sekret i Serbisë

Aktuale

Vokrri: Disa qytetarë serbë nga Leposaviqi janë maltretuar e sulmuar fizikisht nga shërbimi sekret i Serbisë

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 19:29
Arbër Vokrri

Zëvendësministëri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, duke folur për zhvillimet politike në katër komunat veriore, ka përmendur edhe kërcënimet e Serbisë ndaj punonjësve serbë të administratave komunale.

Vokrri tha se institucionet kosovare kanë punuar në atë drejtim që në fillim i kanë paralajmëruar këta zyrtarë me sfidat që do të ballafaqohen.

Ai tha se çdo zyrtar që kalon kufirin do të ballafaqohet me maltretime, duke cekur se e mundur të kërcënohen janë edhe të afërmit e tyre.

Tutje, ai përmendi një rast që ka ndodhur para dy jave, ku disa qytetarë të Leposaviqit janë marrë në pyetje nga policia serbe dhe i kanë maltretuar fizikisht.

“Sa herë që dikush kalon kufirin nga këta zyrtarë që nuk është shpesh, gjithmonë ka maltretime, jo vetëm ndaj këtyre zyrtarëve, por edhe të rrethit të tyre shoqëror. Para dy javësh, qytetarë serbë të Kosovës, pra të Leposaviqit policia në Serbi dhe shërbimi sekret i atjeshëm i kanë marrë në pyetje dhe i kanë maltretuar fizikisht, i kanë zhveshur, i kanë hedhë jashtë në mot të ftoftë duke iu treguar se arsyeja është kjo, e keni tradhtuar vendin e juaj… Këta kanë qenë të etiketuar si tradhtarë, si shqiptarë”, tregoi ai.

Ndërkohë, ai deklaroi se situata në katër komunat veriore është shumë më e mirë sesa në muajin qershor.

Sipas Vokrrit, njëri nga indikatorët që e tregon këtë fakt është edhe regjistrimi i targave në RKS.

“Situata është më mirë sesa në qershor. Një prej indikatorët mund të jetë edhe regjistrimi i targave në RKS. Mandej, frekuentimi i institucioneve të Kosovës, pra në radhë të parë të atyre komunave nga ana e qytetarëve është jashtëzakonisht i madh. Vetëm në Komunën e Leposaviqit për më pak se dy javë janë lajmëruar më shumë se 300 qytetarë që kanë kërkuar ndihma në formë të subvencioneve”, tha ai.

Zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se atje ka ndryshim radikal të situatës në të gjitha aspektet.

“Ka ndryshim radikal të situatës në të gjitha aspektet, prej vitit të ardhshëm, pasi që në këtë vit kuvendeve komunale u janë ndarë linjat buxhetore për çdo sektorë. Do të ketë edhe ekzekutim të punëve për ato që kanë qenë më vështirë të bëhen. Qytetarët do ta vërejnë, jo vetëm të asaj ane por të gjithë qytetarët e Kosovës se mund të bëhet dhe është bërë mirë”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat