​Arifi: Serbia mund të planifikojë sulm, por jo luftë të drejtpërdrejtë

Aktuale

​Arifi: Serbia mund të planifikojë sulm, por jo luftë të drejtpërdrejtë

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 16:27
Dritëro Arifi

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi ka kritikuar deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti lidhur me rrezikun në vend që mund të ndodhë pas sulmit të 24 shtatorit. Sipas tij, termet e përdorura si “luftë” përçojnë mesazhe tek Serbia.

Arifi në një intervistë për KosovaPress tha se Serbia mund të planifikojë sulm në të ardhmen, por jo luftë të drejtpërdrejt.

Arifi: Qeveria të dallojë luftën me sulme terroriste, nuk ka luftë të drejtpërdrejtë

“Sulme mund të ketë, tensione po, por jo luftë është bërë një narracion shumë i gabueshëm në shumë mediume kosovare dhe sidomos te elita politike që po e potencon gjatë tërë kohës që është shumë e gabueshme, sepse pikërisht kjo është çka po e kërkon Serbia, sepse Serbia me luftën hibride arriti me ndryshuar narracionin në Kosovë, që Kosova është vend i paqëndrueshëm, mund të ketë luftë, mund të ketë probleme dhe kjo e devijon komplet politikë bërjen e qeverisë së Kosovës. Pikërisht qeveria nuk është dashur të përmend këtë term, sepse është term që e involvon shtetin jo individ. Pra mos të harrojmë sulme terroriste ka pasur edhe në SHBA edhe në Evropë, por nuk ka pasur luftë, pra ka dallim të madh në mes sulmeve terroriste dhe luftës dhe në këtë rast mund të ketë inskenim të tillë por nuk do të ketë suksesin e 24 shtatorit, sepse NATO është në Kosovë edhe shërbimet e Kosovës, tash është një mekanizëm më i zgjeruar dhe nuk besoj që do të ketë luftë më shumë ndonjë narracion që i shkon përshtati i Rusisë dhe Serbisë për të destabilizuar Kosovës dhe vet aleatin më të madh të saj NATO-n", tha Arifi.

Arifi derisa ka komentuar qëndrimin e liderëve të shtetit theksoi se të njëjtit duhet të punojnë në mënyrë diplomatike dhe të mos përdorin fjalën e fundit të parën.

Ai tha se qasja e qeverisë në këtë drejtim është e gabuar.

Arifi: Qeveria të punojë në mënyrë diplomatike, të mos krijojë atmosferë frikësuese për qytetarët

“Mendoj se kemi një naivitet dhe një jo përmirësim të qeverisë dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk po e kupton që nëse ka informacione të tilla të sakta ato duhet të dërgohen në kanale diplomatike dhe në vende më të rëndësishme si departamentin e mbrojtjes në SHBA, Bruksel, NATO, duhet të mësohemi të punojmë në mënyrë diplomatike që mos të përmendim fjalën e fundit të parën. Kjo është gabimi që e bënë qeveria gjatë gjithë kohës sepse kjo po krijon edhe në publik një atmosferë që do të kemi luftë sepse nuk është e vërtetë që do të kemi luftë, ne si shtet nuk duhet të frikësohemi nëse ka luftë ne jemi këtu dhe do të luftojmë kjo është shtëpia jonë. Policia i ka detyrat e veta i ka informacione është inteligjenca kosovare të cilat i bëjnë detyrat shumë mirë, por politika po e bënë detyrën jo mirë, kjo është gabimi që po bëhet në aspektin diplomatik. Çka duhet të bëjë qeveria e Kosovës është të bëjë detyrat e saj, më pak të flasë, më shumë të punojë, kjo të ishte këshilla e mirë për qeverinë e Kosovës në vitin 2024", shtoi Arifi.

Krerët shtetërorë por edhe diplomatë të huaj kanë paralajmëruar për sulme të mundshme nga Serbia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat