Gara fatale, flet shefi i NjKA: Të shtunën është patrulluar në atë zonë, përgatitjet janë bërë në Gjakovë

Aktuale

Gara fatale, flet shefi i NjKA: Të shtunën është patrulluar në atë zonë, përgatitjet janë bërë në Gjakovë

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Gara me vetura që u mbajt të shtunën në mbrëmje, në kilometrin e 15-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, përfundoi tragjikisht. Pasioni që kishin për garat e tilla, ua mori jetën tre të rinjve, Lordon Sylës, Molos Delijës dhe Nue Bibajt. Ata u goditën nga njëra prej veturave që po garonte me një veturë tjetër, me shpejtësi të ‘çmendur’. Shoferët e dy automjeteve tashmë ndodhen prapa grilave.

Komandanti i Njësisë për Kontroll te Autostradave, Skender Sadiku, ka bërë të ditur për sinjalin se në kuadër të Planit Operativ ‘Parandalimi i garave të shpejtësisë’, atë natë ka pasur tri njësi patrulluese, teksa shtoi se përgatitjet për garën ishin bërë në komunën e Gjakovës.

Sipas Sadikut, një njësi e ndërrimit të natës ka filluar orarin nga ora 21:00, në mënyrë që siç thotë ai, zona e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ të jetë e mbuluar në periudhën kohore 21:00 – 00:00.

Sadiku tha se pikërisht në atë zonë, kanë qenë duke patrulluar dy zyrtarë policorë.

“Në kuader të PO “Parandalimi i garave të shpejtësisë”, një njësi e ndrrimit të natës XR-181, orarin e ka filluar nga ora 21:00  në mënyrë që zona e Autostrades Ibrahim Rugova Prizeren Veri- jug, të jetë e mbuluar në kohën nga ora  21:00 deri në ora 24:00  ashtu edhe siq i kemi pas informacionet.

-Me datë 16.12.2023 Njësia XR-181 në perberje  nga  2 zyrtar policor sipas PO kane qenë  duke patrolluar pikrisht në at zonë ku edhe janë takuar me një njësi të DR Prizern.

-Sipas informacioneve nga hetuesit kompetent të rastit si dhe video-inqizimeve  dyshohet se kanë  qenē 3 deri 4 vetura dhe 10 deri 12 persona.

Po ashtu sipas informatave që posedojm të gjithë kanë qenë shok dhe familjar në mes vete dhe se përgaditjet i kanë bërë në Gjakovë”, tha ai.

Kujtojmë se Arlind Syla, shoferi i veturës që i goditi tre viktimat dhe Irfan Hoti, që po garonte me të, u arrestuan të dielën, si të dyshuar lidhur me këtë rast.

Syla dhe Hoti janë emra të njohur për Policinë, për shkak të numrit të gjobave që kanë shqiptuar ndaj tyre për kundërvajtje në trafik.

Siç mëson media, vetëm këtë vit, rreth 10 dënime janë shqiptuar nga Policia e Trafikut Rajonal në Gjakovë ndaj Arlind Sylës, ndërsa Irfan Hoti është gjobitur rreth 15 herë për shkelje të rregullave në trafik.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Irfan Hotit para disa muajsh i ishte konfiskuar patentë shoferi për tre muaj.

Dy të dyshuarit, por edhe viktimat, shumë shpesh kanë marrë pjesë në gara të tilla, të cilat jo rrallëherë, Policia e Trafikut Rajonal i ka parandaluar të zhvillohen në Gjakovë.

Por, mbrëmjen e 16 dhjetorit, ata u nisën si grup në vendtakimin për garën mes Sylës dhe Hotit, që përfundoi me fatalitet.

Ndryshe, aksidenti në Prizren që tronditi të gjithë ka alarmuar edhe shtetin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar të mërkurën ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.

Ai e ka përmendur se vetëm ditëve të fundit kanë vdekur katër individë nga aksidentet në trafik, tre prej tyre si pasojë e garave të jashtëligjshme automobilistike në autostradën Ibrahim Rugova në Prizren.

Sveçla ka thënë se përmes masave që do të merren ndaj shkelësve, masa do të ketë edhe ndaj, siç ka thënë ai, neglizhencës së zyrtarëve policorë për trajtim me prioritet të garave të paligjshme.

Ai ka thënë se vetëm këtë vit janë dhënë 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të tilla, që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm në komunikacion.

Sveçla ka thënë se në kuadër të ndryshimeve në ligjin për trafik do të kërkojë që garat e paligjshme të konsiderohen vepër penale.

Policia e Kosovës, të njëjtin grup e kishte parandaluar dy herë në organizmin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në shumë media, të njëjtit kanë pasuar gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie, dhe njërit i është konfiskuar patent-shoferi për filmim dhe publikim të këtyre garave”, tha ai.

Ai ka thënë se tashmë është “iniciuar hetim disiplinor për përgjegjësi menaxheriale, janë lëvizur dy komandantë të njësive të trafikut dhe është krijuar plan i ri operativ për trafikun rrugor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat