“Asociacionin e vitit 2015 bashkë e kemi quajtur tradhti ndaj Republikës”/ “Përplasen” ish-deputetët e LVV-së

Aktuale

“Asociacionin e vitit 2015 bashkë e kemi quajtur tradhti ndaj Republikës”/ “Përplasen” ish-deputetët e LVV-së

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 23:14
Lajçi, Ymeri

Ish-deputetët Visar Ymeri dhe Ali Lajçi kanë pasur polemika të forta në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe rolin e kryeministrit Kurti për këtë çështje.

Në RTV Dukagjini Ymeri ka thënë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht të obligueshme dhe nuk mund të injorohen, por nuk e ndan të njëjtin mendim Ali Lajçi.

Ai thotë se këto nuk janë marrëveshje por vetëm llafe.

“Sipas Borrellit ato janë vetëm llafe politike. Ato janë vetëm deklarata politike dhe jo të obligueshme”, ka thënë Lajçi.

Mirëpo Ymeri insistoi se ato nëse nuk zbatohen kanë pasoja.

“Kur këto marrëveshje të bëhen pjesë e rrugëtimit politik të Kosovës dhe Serbisë, asnjëri shtet nuk do të mund të bëhet anëtar i BE-së pa i zbatuar ato”, ka shtuar Ymeri.

Dy ish-deputetët janë përplasur edhe për draftin e statutit të Asociacionit.

“Drafti i Asociacionit nuk nënshkruhet me Serbinë. Gabime ka këtu Kurti. Statuti i Asociacionit është vendim i Qeverisë sonë. Nëse kjo që ka bërë Kurti nuk është asgjë, pse iu kemi rënë në qafë Thaçit e Mustafës. Parimet e 2015-ës unë dhe ti bashkë i kemi quajtur tradhti ndaj Republikës. Këna dalë këna protestua, kemi gjuajt gaz lotsjellës e jemi përplasur me policinë”, ka deklaruar Ymeri.

“Ajo marrëveshje është nënshkruar dhe për më keq është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Lajçi.

Ish-kryetari i Pejës nga radhët e LDK-së, thotë se Kurti ende nuk e ka bërë Asociacionin dhe nuk duhet akuzuar për këtë.

“Nëse Kurti e nënshkruan Asociacionin pa e njohur Serbia Kosovën, atëherë ai ka vepruar sikurse ata para tij”, shtoi Lajçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat