Kjo është procedura e mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët në veri

Aktuale

Kjo është procedura e mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët në veri

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka hapur rrugë mbledhjes së nënshkrimeve nga qytetarët në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq për të larguar kryetarët e zgjedhur në prill të këtij viti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi para mediave se anëtarët e grupit nismëtar janë votues të komunave përkatëse, siç edhe kërkohet në udhëzimin administrativ.

“Nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara ka njoftuar se anëtarët e tri rupeve nismëtare të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse”, tha Elezi.

KQZ gjithashtu ka njoftuar edhe për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, ku nevojitet vetëm 20% prej tyre të firmosin kërkesën. Kështu, në Leposaviq duhet të firmosin 2,689 qytetarë me të drejtë vote, në Zubin Potok 1,347, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 3,640 votues.

Kërkesa e njëjtë për largimin e kryetarit të Zevçanit është refuzuar nga kryesuesja e Kuvendit të kësaj komune, Selvete Kelmendi.

Por, cilat janë procedurat e mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët që jetojnë në veri?

Në nenin 5 që ka të bëjë me inicimin e procedurës, në pikën 7 thuhet se KQZ, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar dhe ministrinë me numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse, si dhe me numrin minimal të nevojshëm të nënshkrimeve.

Pas këtij hapi, që sot u bë nga KQZ, nis mbledhja, dorëzimi dhe verifikimi i nënshkrimeve

Sipas udhëzimit grupi nismëtar, brenda tridhjetë ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm njëherë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për pesëmbëdhjetë ditë tjera.

Pas saj, KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, verifikon listën e nënshkrimeve sipas afateve të përcaktuara. Pas verifikimit të nënshkrimeve, KQZ njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar dhe Ministrinë, me vlerësimin përfundimtar

Për mbledhjen e nënshkrimeve, grupi nismëtar përdorë listën e nënshkrimeve sipas formatit të përcaktuar si në Shtojcën 1 të këtij Udhëzimi Administrativ. Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën njëzet (20) për qind e votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse. Kërkesa për largimin e kryetarit të komunës duhet të përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët duhet të informohen qartë, drejtë dhe me saktësi për
qëllimin e kërkesës dhe efektet e saj.

Mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ndalohet ushtrimi i çfarëdo presioni apo ndikimi që imponon, kushtëzon apo detyron qytetarët për të nënshkruar pa vullnetin e tyre, apo nënshkrimi në emër të tyre. Nëse kërkesa nuk nënshkruhet nga nga 20 për qind e qytetarëve  me të drejtë vote, atëherë dështon. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat