​Haxhiu: Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së

Aktuale

​Haxhiu: Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 15:42
Ministrja e Drejtësisë, Abulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Abulena Haxhiu ka njoftuar se Komisioni i Venecias ka përkrahur ndryshimet ligjore për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Megjithatë, ajo bëri të ditur se nuk është përkrahur edhe rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së. Në konferencë për media, ajo foli për rëndësinë e këtij ligji, ku theksoi se ka nevojë për reformë dhe balancim të përbërjes së anëtarëve prokurorë. Pazaret e Këshillit Prokurorial të Kosovës, siç i quajti ajo, janë të fundit, meqë Haxhiu theksoi se po punojnë për reformën në drejtësi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha javën e kaluar në seancën plenare të Komisionit të Venecias, është miratuar opinioni në lidhje me Ligjin për KPK-në. Ajo tha se përbërja aktuale e KPK-së, është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe se shkakton korporatizëm. Ajo para mediave, theksoi dy ndryshimet ligjore që janë bërë në kuadër të këtij ligji.

Haxhiu: Ne kemi bërë dy ndryshime në ligjin të cilin e kemi proceduar në kuvend

“Në linjë me rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias po ashtu edhe me ato që parashihen në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për eliminimin e korporatizmit dhe arritjen e balancit me anëtarë prokuror dhe jo prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ne kemi bërë dy ndryshime në ligjin të cilin e kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës, së pari përbërjen permanente prej shtatë anëtarëshe, tre prokurorë dhe Prokurori i Shtetit dhe tre anëtarë jo prokurorë, gjithsej shtatë. E cila do të fillonte së funksionuari prej muajit janar 2026 dhe gjithashtu kemi propozuar përbërjen apo rritjen e përkohshme të anëtarëve të këshillit nga 13 anëtarë sa i sheh ligji aktualisht në 19 anëtarë”, deklaroi Haxhiu.

Pas këtyre ndryshimeve ligjore, Haxhiu shtoi se është kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias në gusht të këtij viti. Ajo tha se javën e kaluar në seancën e mbajtur dhe diskutimin me raportuesit e komisionit është miratuar opinioni.

Haxhiu: Komisioni i Venecias ka miratuar opinionin

“Pas shumë diskutimeve substanciale me raportuesit e Komisionit të Venecias gjatë gjithë këtyre muajve, ju njoftoj që ky opinion është miratuar në seancën në të cilën mora pjesë javën e kaluar, përkatësisht në datat 15, 16 dhjetor 2023. Në opinionin i cili do të publikohet gjatë kësaj jave nga Komisioni i Venecias, më vjen keq që unë sot nuk mundem të ndajë me juve për faktin se meqë është dokument i prodhuar nga vet Komisioni i Venecias, ata e kanë të drejtën që të publikojnë të njëjtin në uebfaqen e tyre zyrtare. Por, aty theksohet edhe një herë fuqimisht nevoja për reformë në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe veçanërisht balancim të përbërjes mes anëtarëve prokurorë dhe jo prokurorë që ishte qëllimi ynë kryesor, ashtu që të sigurohet efikasitet, integritet dhe transparencë në punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu tha se bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias, përbërja prej shtatë anëtarëve në KPK, është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministrja e Drejtësisë deklaroi se nuk është përkrahur edhe rritja e përkohshme e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Haxhiu: Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së

“Mirëpo, Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së dhe atë për disa arsye: vështirësitë që kuvendi mund t’i ketë t’i zgjedh një numër aq të madh të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Po ashtu mundësitë tona kushtetuese, faktin që gjithë këta anëtarë zgjedhën me shumicë të thjesht në kuvend, ashtu siç parasheh kushtetuta jonë....Po ashtu, argumentojnë që Kosova ka pak më shumë se 200 prokurorë dhe një numër prej 19 prokurorëve mund të konsiderohet numër shumë i lartë në raport me përbërjen”, theksoi Haxhiu para mediave.

Haxhiu para mediave tha se vettingu në sistemin e drejtësisë është prej reformave më të mëdha. Sipas saj, veprimet e fundit të KPK-së, tregojnë për domosdoshmërinë e vettingut.

Haxhiu: Pazaret në KPK janë veprimet e fundit

“Për herë të parë në Republikën e Kosovës ka pasur kaq shumë deklarata, madje shumë të ashpra me të drejta për bindjen time në raport me proceset në KPK. Madje ju e dini që disa prej partnerëve tanë kanë thënë që ky është sistem i prishur dhe natyrisht që Kosova në vazhdimësi ka pasur kritika edhe në raporte vendore dhe ndërkombëtare në raport me si funksionin KPK. Dhe unë mendoj që vendimet e fundit të KPK-së, ajo çfarë ka ngjarë së fundmi tregojnë hapur që reforma në Këshillin Prokurorial është shumë e rëndësishme. Për faktin se ende pa nisur procesi dihen emrat se kush do të jetë ku, kjo nuk është demokratike. Kjo është e hapur, veprim i grupeve të interesit, pazareve brenda këshillit për të marrë pozita njerëz të cilët për momentin janë në nivele të larta. Unë konsideroj që këto janë veprimet e fundit të KPK-së”, përfundoi ajo.

Tutje, ministrja Albulena Haxhiu tha se në konkursin e kryeprokurorit në Prishtinë ka qenë vetëm një kandidat, ndërkohë që 52 kanë pasur të drejtën për kandidim në këtë pozitë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat